Vetëvendosja! midis gjuhës së Reshat Badallaj-Zhurianit dhe Vojisllav Sheshelit

Përtej asaj që përfaqësojnë Reshat Badallaj dhe Vojisllav Shesheli, shqetësuese është kur një gjuhë e tillë përdoret nga një subjekt politik me aktualisht 19 ulëse në Kuvendin e Republikës. Një subjekt që pretendon me qenë serioz dhe me qeverisur nesër Republikën. E aq më tepër një parti që i pëlqen të vetemërohet si subjekt i “majtë progresiv”.

Vetëvendosja! midis gjuhës së Reshat Badallaj-Zhurianit dhe Vojisllav Sheshelit

Sqarim: Autori është zyrtar për media në Partinë Socialdemokrate. Qëndrimet janë personale dhe nuk kanë të bëjnë fare me qëndrimet e redaksisë

Shkruan: Shkodran Hoti

Titull që mund të duket anakronik. Së pari, për shkak se Reshat Badallaj është për shumëkë i panjohur, por edhe për shkak se simbolizon joseriozitet. Së dyti, sepse Vojisllav Shesheli cilësohet me të drejtë si një ultranacionalist fashist nga Serbia.

Reshat Badallaj i njohur edhe si Reshat Badallaj-Zhuriani është një kolumnist i rregullt në njërën prej gazetave në Kosovë. Jo pak njerëz nga të paktët që e njohin si emër e vëjnë në dyshim se ekziston ai njëmend, porse mbase është ndonjë pseudonim.

Përderisa Badallaj nuk është paraqitur ndonjëherë në ndonjë studio televizive, shkrimet e tij janë përplotë ofendime ndaj figurave të ndryshme publike. Në përputhje me politikat redaktoriale të gazetës ku ato publikohen, kolumnet e Badallajt kanë shpeshherë tituj zbavitës. Tekstet e tij kanë fiksim atë që njihej si Drejtoria e Sigurimit Shtetëror në ish-Jugosllavi,me akronimin “UDB”, nga emri në gjuhën serbe – Uprava Državne Bezbednosti. Aq shumë, sa që në google paraqiten kryesisht shkrimet dhe imazhet e tij në momentin që e shkruani këtë akronim të policisë famëkeqe politike të ish-Jugosllavisë, që ishte orkestruese e eliminimeve të shumta politike.

Paradoksi i rrufeve të tij plotë gjuhë të urrejtjes dhe jashtë çdo standardi e etike gazetarske është se në emër të saj, Badallaj përdor të njëjtën metodë si vetë UDB-ja dhe policitë simotra famëkeqe, të cilat njihen për organizimin e propagandave të tilla njollosëse kundër kundërshtarëve politikë. Historia e Adem Demaçit, apo e Todi dhe Fatos Lubonjës dëshmojnë më së miri praktikat e tilla. Është po ashtu e njohur se gjatë këtyre viteve të post-monizmit, personalitete të ndryshme shqiptare politike, shkencore dhe kulturore shqiptare u etiketuan me epitete të ndryshme përçmuese nga vetë qarqet e ndryshme politike dhe publicistike shqiptare. Nuk u kursyen as Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Arbën Xhaferi …e deri te Adem Jashari!

Kjo mendësi shquhet sidomos në fqinjësi, në Serbi. Për ata që e kanë përcjellur politikën e Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojisllav Sheshelit, të gjithë ata që nuk përqafonin qëndrimet e tij politike ishin: “tradhtar të interesave serbe”, “bashkëpunëtor të shqiptarëve dhe të NATO-s”, “kolona e pestë”, “të parapaguar të jashtëm dhe tradhtar të brendshëm”, etj… Kjo mendësi vazhdon edhe sot në skenën politike serbe, ku pak njerëz mbetën pa u shpallur tradhtar të interesave kombëtare serbe. Këtë realitet e përjetuan figura sikur: Bogdan Bogdanoviqi, Sërgja Popoviqi, Mirko Kovaçi, Natasha Kandiqi, Sonja Biserko, Çedomir Jovanoviqi etj…
Sot, këtë mendësi dhe këtë diskurs po e përqafon çdo ditë e më shumë edhe Lëvizja “Vetëvendosje!”. Përdorimi i kësaj gjuhe doli në publik masivisht me ndarjen e LV-së, ku ndër të tjera kreu i kësaj partie Albin Kurti e kishte akuzuar ish-sekretarin e partisë së tij, Dardan Molliqajn, si të ndikuar nga Baton Haxhiu, teksa këtij të fundit dikur në qarqe të mbyllura e tashmë publikisht i referohet si “bashkëpunëtor i UDB-së” dhe “vartës i Stanishiqit”.

Kjo gjuhë tejshquhet sidomos së fundi në një kumtesë për media të kësaj partie, të datës 10 janar të këtij viti, të titulluar “Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit”. Siç vërehet edhe nga tituli, kumtesa flet për mosdekretimin e Gent Cakajt si Ministër i jashtëm i Republikës së Shqipërisë nga Presidenti Ilir Meta i cili dyshohet për afera të mëdha korruptive dhe për lidhje të afërta me oligarkët rus. Për më tepër, deputetë të kësaj partie e kritikuan dekretimin e Besa Shahinit si Ministre të arsimit, duke e përmendur lidhjen e saj familjare me një ish-zyrtar të UDB-së.

Për fat të keq, përjashtuar ndonjë rast të izoluar, kjo gjuhë linçuese nuk ngjalli reagim meritor në Kosovë. E çuditshme heshtja e atyre që njihen për të qenë më aktiv në mbrojtjen dhe në promovimin e vlerave e standardeve demokratike, apo edhe për kauzën feministe.

Sidoqoftë, përtej asaj që përfaqësojnë Reshat Badallaj dhe Vojisllav Shesheli, shqetësuese është kur një gjuhë e tillë përdoret nga një subjekt politik me aktualisht 19 ulëse në Kuvendin e Republikës. Një subjekt që pretendon me qenë serioz dhe me qeverisur nesër Republikën. E aq më tepër një parti që i pëlqen të vetemërohet si subjekt i “majtë progresiv”.

Vallë, degradimi i Lëvizjes “Vetëvendosje!” ka arrritur përmasa të tilla që të zhytet sot midis joseriozitetit të Reshat Badallajt dhe fashizmit të Vojisllav Sheshelit? Mendësia e tyre duket sot ulur këmbëkryq në Lëvizjen “Vetëvendosje!”. Gjuha e tyre është bërë gjuhë zyrtare e kësaj partie. Gjuha e babës.