Vetëvendosje beson se zgjedhja e Osmanit presidente është çështje ditësh

Vetëvendosje beson se zgjedhja e Osmanit presidente është çështje ditësh

Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron si çështje ditësh zgjedhjen e Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës, transmeton Insajderi.

Ky subjekt politik nuk pret që të ketë probleme në çështjen e zgjedhjes së presidentes, ndërsa thonë se janë kategorik që në krye të këtij posti të Vjosa Osmani.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani thotë se janë duke u angazhuar që sa më shpejtë të përmbyllet edhe procesi i zgjedhjes së presidentit.

Ai thotë se në bazë të vullnetit qytetarë, edhe deputetët e partive tjera opozitare duhet të qëndrojnë në sallë për votimin e presidentit.

“Në Lëvizjen veçse jemi duke u angazhuar dhe punuar që sa më shpejtë të përmbyllet edhe zgjedhja e presidentit. Ne si subjekt edhe bashkë me deputetë të tjerë që bashkë qeverisim i kemi mbi 60 vota për presidentin. Natyrisht duke i parë rrethanat shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë që të zgjidhet Vjosa Osmani presidente dhe po shpresojmë që edhe deputetët e subjekteve tjera të kryejnë detyrën e tyre dhe qëndrimin në sallë, varësisht prej vullnetit që e kanë për votim kundër apo për. Krejt çka po kërkohet është që vijmë në sallë dhe ta kryejmë procesin për çka jemi të thirrur dhe kemi marrë mandatin nga populli. Kështu që, unë nuk shoh ndonjë pengesë në këtë drejtim dhe besoj se kjo do të jetë çështje ditësh kur do të ndodh”, deklaroi Rrahmani, raporton KP.

“Roli i presidentit është edhe unifikimi i gjithë spektrit politikë, andaj edhe takime të tilla mund të ketë dhe mund të jetë të shëndosha. Mirëpo ato mbesin në vullnetin dhe si e shoh presidentja Vjosa Osmani”, thotë ai. /Insajderi.com