Vetëvendosje dhe LDK heshtin karshi kërkesës së ndërkombëtarëve për koalicion

Vetëvendosje dhe LDK heshtin karshi kërkesës së ndërkombëtarëve për koalicion

Kur kanë mbetur edhe shtatë ditë kohë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe ende në horizont nuk duket një marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet VV-së dhe LDK-së – janë aktivizuar edhe mekanizmat ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkimit Europian, përfshirë shtetet më mike të Kosovës, Gjermania dhe Britania, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që “urgjentisht” që Albin Kurti dhe Isa Mustafa ta krijojnë qeverinë.

“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga BE, shkruan Insajderi.

“Seanca konstitutive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet. Ky është thelbi i procesit demokratik. Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura”, vazhdon tutje shkrimi i cili është mbështetur edhe nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, por edhe nga ajo e Britanisë.

Në anën tjetër zyrtari gjerman, Christian Schmidt, i cili gjatë ditës ka qëndruar në Kosovë, tha se Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk duhet të krijojnë lidhje dashuri, por të krijojnë mirëbesim.

“Ajo që ka rëndësi është besimi ndërmjet palëve dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme”, tha Schmidt, shkruan Insajderi.

Por çfarë po ndodh në Vetëvendosje dhe LDK?

Derisa ndërkombëtarët e kanë shumë specifike kërkesën për krijimin e qeverisë, Kurti dhe Mustafa ka pesë ditë që më nuk janë takuar. Takimi i tyre i fundit ishte të shtunën, i cili ndonëse zgjati tri orë përfundoi pa marrëveshje konkrete.

As sot madje nuk pritet të ketë një të tillë ndërmjet tyre, pasi Albin Kurti është duke qëndruar në Itali, duke vonuar kështu një takim tjetër të mundshëm ndërmjet dy liderëve.

Qëndrimin njëditor në Romë, e fillova me takimin në Parlamentin Italian ku u prita në një dëgjim nga kryetarët e…

Gepostet von Albin Kurti am Donnerstag, 19. Dezember 2019

Asnjë fjalë për kërkesën e ndërkombëtarëve s’e kanë thënë zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pavarësisht insistimit të Gazetës Insajderit.

Të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës nëse do të heqin dorë nga pozita e Presidentit apo do të shkojnë në opozitë, ashtu siç kanë “kërcënuar”.

Ndonëse nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha në mëngjes se “Presidenti dhe Kryeministri janë shumë për Vetëvendosjen”.

Vetëvendosje në anën tjetër është “barrikaduar” dhe nuk pranon që Presidenti t’i takojë Lidhjes së Isa Mustafës.

“Tash për tash nuk është koha që të zgjidhet presidenti, por të formohet qeveria”, ka thënë Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, shkruan Insajderi.

Vetëvendosje dhe LDK ende nuk kanë vendosur se cila do të tërhiqet nga kushtet që dhanë për të finalizuar marrëveshjen.

Nëpër deklarata u bë shumë e qartë se Vetëvendosje s’e jep postin e presidentit si pjesë të pazarit, dhe se LDK-ja nuk shkon në qeveri me Kurtin pa u marrë vesh për këtë post.

Mbetet të shihet nëse Kurti dhe Mustafa gjatë ditëve të ardhshme do të pajtohen për të bërë bashkë “hapin e madh”./Insajderi.com