Vetëvendosje e thërret Hotin në tri interpelanca

Vetëvendosje e thërret Hotin në tri interpelanca

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka ftuar kryeministrin, Avdullah Hoti, që të përgjigjet në tri interpelanca për tri çështje të ndryshme, njofton Insajderi.

Në njoftimin zyrtar të Vetëvendosjes, bëhen të ditura tri cështjet për të cilat Hoti duhet të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Çështja e parë ka të bëjë me “zotimin e Avdullah Hotit në Uashington për ta ndarë Liqenin e Ujmanit me Serbinë”.

Sipas Vetëvendosjes, ky veprim i kryeministrit është i rrezikshëm dhe i paprecedent, meqë e përparon interesin e Serbisë për ta minuar sovranitetin e Republikës tonë, duke i dhënë asaj qasje në resurse tona ekonomike e strategjike.

Çështja e dytë për të cilët kryeministri Hoti duhet të përgjigjet para Kuvendit të Kosovës, lidhet “me zotimin tjetër të tij në Uashington që kushtëzon zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit me ata që janë zhvendosur”.

Sipas VV-së, kjo përveç se është e dëmshme është edhe çnjerëzore.

Ndërsa çështja e tretë për të cilën Hoti do të përgjigjet është në lidhje me deklaratat e tij qe i bëri  pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian dhe Komisionin e Politikës së Jashtme ku tha se “do ta respektojë plotësisht marrëveshjen për ‘Zajednicën’.”./Insajderi.com