Vetëvendosje: Hoti marrëveshjen me Serbinë e sheh si koncesion ndaj saj

Vetëvendosje: Hoti marrëveshjen me Serbinë e sheh si koncesion ndaj saj

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të VV-së, thuhet se “Hoti marrëveshjen finale me Serbinë e sheh si shumën e hapave të vazhdueshëm që duhet bërë për t’i ofruar koncesione Serbisë, deri në njohjen e Kosovës ashtu siç do Serbia”.

Si argument për këtë pretendim të tyre, VV-ja ka sjellë një video ku shihen dy deklarime të ndryshme të Hotit për çështjen e dialogut.

Në video shihet Hoti, ku para vizitës në Uashington deklaronte se “ky nuk është dialog për normalizim të marrëdhënieve, normalizimi i marrëdhënieve do të jetë derivat i njohjes reciproke në mes të dy vendeve. Kemi dialoguar qe 7-8 vite, nga viti 2011 e këndej për normalizim të marrëdhënieve”.

Ndërsa në videon e dytë, pas kthimit nga Uashingtoni, në video, Hoti shihet duke thënë se “është hap tejet i madh, hap i jashtëzakonshëm drejt marrëveshjes finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”./Insajderi.com