Hoti ftohet me urgjencë për të raportuar për pandeminë Covid-19

Lëvizja Vetëvendosje kritikon qeverinë. E akuzojnë për numrin e madh të rasteve me Covid-19 dhe kërkojnë llogari në adresë të saj.

Hoti ftohet me urgjencë për të raportuar për pandeminë Covid-19

Lëvizja vetëvendosje ka iniciuar kërkesën, te cilën e ka miratuar kryeparlamentarja Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës për një seancë parlamentare ku kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, duhet të raportojë për pandeminë Covid-19, njofton Insajderi.

Në reagimin zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje, thuhet gjithashtu se deputetët e kësaj partie që janë në komision parlamentar për shëndetësi e kanë ftuar zyrtarisht ministrin Armend Zemaj që të raportojë për gjendjes me Covid-19 në Kosovë.

“Nisur nga gjendja e rëndë e krijuar për shkak të menaxhimit katastrofal me Pandeminë COVID-19, pas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit Arbërie Nagavci të miratuar në kryesi të Kuvendit, kryetarja Vjosa Osmani ka dërguar kërkesën që pa humbur kohë Avdullah Hoti duhet të vije për raportim në Kuvendin e Kosovës në lidhje me menaxhimin e pandemisë.

Në anën tjetër, deputetët tanë në Komisionin për shëndetësi, kanë kërkuar zyrtarisht nga komisioni që Armend Zemaj duhet të raportojë në Komisionin parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Njëjtë dhe Drejtuesit e SHSKUK-së”.

Më pas në vazhdën e reagimit të Vetëvendosjes thuhet që gjendja është alarmante dhe qytetarët e vendit janë braktisur në momente të vështira nga ata që e kanë detyrë për ti menaxhuar dhe mbrojtur. /Insajderi.com