Vetëvendosje kërkon shkarkimin e Driton Selmanajt

Vetëvendosje kërkon shkarkimin e Driton Selmanajt

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Driton Selmanaj, pas diskutimeve lidhur me çështjen e të pagjeturve, të cilat u bënë gjatë javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i kësaj partie opozitare, Liburn Aliu, ka thënë se deklarimet e Selmanajt janë të papranueshme dhe tregojnë mungesë respekti për viktimat e luftës.

Ai ka thënë se deklaratat e tij dëmtojnë në mënyrë të pakorrigjueshme pozicionin shtetëror të Kosovës, kudo, andaj në solidarizim me familjarët e viktimave, presin që të njëjtin ta shkarkojnë nga pozicioni që e mban.

“Qëndrimet e Selmanajt janë përtej qëndrimit tonë për institucionet, përtej marrëdhënies tonë me atë që e quajmë qeveria Hoti se pse çështja e të pagjeturve është dhimbje që prek çdo qytetar të kësaj Republike, përbën shtyllë indentitare të shtetit dhe nuk është çështje politike. Qytetarët me të drejtë janë të lënduar me këto qëndrime pikërisht në këtë kohë negocimi me Serbinë. I apostrofuari këtu në Kuvend nuk është i mirëseardhur dhe ky është qëndrimi ynë. Në solidarizim me familjarët e viktimave, presim që të njëjtin ta shkarkojnë nga pozicioni që e mban”, ka thënë ai. /Insajderi.com