Vetëvendosje kritikon Lutfi Hazirin për keqpërdorim të parasë publike

Vetëvendosje kritikon Lutfi Hazirin për keqpërdorim të parasë publike

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para objektit të Komunës së Gjilanit, siç thanë për të bërë të ditur keqpërdorimet me paranë publike dhe shpenzimet marramendëse të kryetarit Lutfi Haziri.

Sipas tyre, kryetari Haziri kishte premtuar dietë dhe qeverisje me shpenzime minimale, mirëpo komuna gjatë vitit 2015 shënon rekordin e shpenzimeve.

“Luta vetëm për një drekë dhe darkë në restorantin Sharri, e shtruar për një grup punues, ka shpenzuar 1 mijë e 786 €. Lutfi Haziri dhe zyra e tij edhe për telefon përgjatë 2015 i ka shpenzuar 4 mijë e 50 euro, ndërsa vetëm për telefon roming për një muaj i ka kushtuar 1 mijë e 753 €. Kurse në njërën nga mbrëmjet e Flakës së Janarit, vetëm për pije dhe paragjellë janë shpenzuar 2 mijë e 520€”, ka thënë Ilir Hoti nga VV.

Hoti tha se Vetëvendosje kërkon nga udhëheqja komunale që në vend të shpenzimeve, të rrit intensitetin e punëve, t’i ndalin të gjitha llojet e keqpërdorimeve dhe ta respektojnë ligjin.

Sipas tij, kryetari Haziri ka harruar premtimet për dietë dhe po harxhon me tepër se sa lejon buxheti i komunës dh situata e përgjithshme ekonomike në komunë./Insajderi.com