Vetëvendosje paralajmëron votë kundër certifikimit të Listës Serbe

Vetëvendosje paralajmëron votë kundër certifikimit të Listës Serbe

Lista Serbe mund të mos certifikohet për zgjedhjet e 19 majit të këtij viti. KQZ-ja aktualisht është duke funksionuar me 9 anëtarë, pasi presidenti Thaçi nuk i ka emëruar të gjithë anëtarët në këtë institucion, përderisa për të ndodhur certifikimi nevojiten 8 vota. Por dy përfaqësuesit e LVV-së në KQZ paralajmërojnë votë kundër nëse nuk ofrohen dëshmi konkrete se kandidatët serbë do ta respektojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Zgjedhjet që pritet të mbahen më 19 maj në komunat veriore, sipas anëtarit të KQZ-së nga LVV-ja, Adnan Rrustemi, janë të jashtëzakonshme jo vetëm për shkak të afateve të shkurtra, por edhe për faktin e dorëheqjeve të ish-kryetarëve dhe për vonesat mbi pesë muaj të shpalljes së tyre nga presidenti. Meqë ish-kryetarët në letrat e dorëheqjes i ishin drejtuar Kosovës si “Kosova e Metohija” Rrustemi ka thënë se KQZ-ja duhet ta  trajtojë kujdesshëm edhe aplikacionin e LS-së për certifikim.

“Andaj, KQZ-ja si institucion kushtetues e ka përgjegjësi që edhe ta mbrojë kushtetutshmërinë, rendin institucional e Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim KQZ-ja duhet ta trajtojë me kujdes dhe më në detaje aplikacionin e Listës Serbe dhe kandidatët e saj, duke mos lejuar që të keqpërdoret ky proces për të shtyrë përpara skenarë kundër Republikës, siç po bën Lista Serbe nën ndikimin e Aleksandar Vuçiqit”, ka deklaruar ai për Zërin.

Deklarimet e vazhdueshme të drejtuesve të Listës Serbe kundër shtetit të Kosovës, nënshtrimi i tyre ndaj Beogradit zyrtar, si dhe paralajmërimet për dorëheqjet e serishme menjëherë pas zgjedhjeve, sipas Rrustemit janë argumente që duhet të merren parasysh nga KQZ-ja.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, Rrustemi ka bërë të ditur se ka kërkuar që KQZ-ja t’i kërkojë nga Ministria e Pushtetit Lokal letrat e dorëheqjes së ish-kryetarëve, si dhe të kërkojë dokumente shtesë nga LS-ja që dëshmojnë distancimin e tyre nga qëndrimet dhe nga sulmet e Vuçiqit. Gjithashtu, sipas tij, duhet të dëshmohet se kandidatët e LS-së do ta njohin dhe do ta respektojnë rendin kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës dhe do t’i përmbushin të gjitha përgjegjësitë.

“Ne nuk mund të shpërdorojmë miliona euro të taksapaguesve për skenarë të tillë të paralajmëruar për dorëheqje, për kandidim dhe për dorëheqje sërish. Aq më tepër që tre nga kandidatët janë ish-kryetarët, të cilët kanë dhënë dorëheqje. Ne si anëtarë të LVV-së nuk jemi kundër serbëve, por kundër instrumentalizimit të Listës Serbe nga Beogradi e përmes saj luftimin e shtetit të Kosovës”, ka potencuar ai gjatë një bisede për gazetën.

Rrustemi tha se  duhet të kërkohen dëshmi shtesë gjithnjë në mbrojtje të integritetit shtetëror, të kushtetutshmërisë e të rendit institucional të Republikës. Në të kundërtën, Rrustemi ka bërë të ditur se qëndrimi i anëtarëve të LVV-së në KQZ do të jetë kundër certifikimit të Listës Serbe.

“Në të kundërtën, si e tillë, Lista Serbe nuk mund dhe nuk duhet të certifikohet nga ana e KQZ-së”, ka nënvizuar Adnan Rrustemi.