Vetëvendosje, për apo kundër rrëzimit të Qeverisë?

Vetëvendosje, për apo kundër rrëzimit të Qeverisë?

Propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për mbajtjen e një tryeze të përbashkët në të cilën do të caktohej data se kur do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme, nuk është përkrahur dhe as kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje (VV).

Zyrtarja për informim e VV-së, Tinka Kurti ka thënë për Telegrafin se ka shumë aryse se pse kjo qeveri duhet të bjerë.

Sipas saj, prej që ka ardhur në pushtet ka krijuar vetëm skandale.

“Kjo qeveri e ka sjellë në Kuvend një marrëveshje shumë të dëmshme që është ajo për demarkacionin me Malin e Zi, ka krijuar shpenzime të mëdha me rritje të kabinitetit, Kryeminsitri ia ka rritur pagën vetes dhe me fajin e kësaj Qeverie Agjencia Kosovare për Akreditim është përjashtuar nga Regjistri i Cilësisë”, ka shtuar Kurti.

Ajo duke numëruar arsyet se pse duhet të rrëzohet qeveria Haradinaj ka thënë se një arsye tjetër është rritja e papunësisë për 3 për qind në vitin 2017.

“Të gjitha këto e bëjnë këtë qeveri jo vetëm jokompetente për të vazhduar tutje, por edhe të dëmshme sa më shumë që vazhdon të qëndrojë në pushtet”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, sot shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në konferencën e rregullt javore ka theksuar se ata si parti do të propozojnë mbajtjen e një tryeze të përbashkët me të gjitha partitë politike, ku do të caktohej data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas tij, nëse nuk do të pranohet kjo ofertë, atëherë ka shumë mundësi që LDK-ja ta qes në votëbesim qeverinë Haradinaj.