Vetëvendosje: Qeveria i ka ditët e numëruara

Vetëvendosje: Qeveria i ka ditët e numëruara

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, ka thënë se Qeveria e Kosovës i ka ditët e numëruara në kohën kur presioni popullor kundër qeverisë është në rritje.

Këto komente Dërguti i ka bërë të shtunën gjatë një konferencë për media të thirru nga Vetëvendosje lidhur me dhunën e policisë që sipas tyre “ushtroi pushteti mbi deputetët opozitar.”

“Suspendimi i deputetëve, tërheqja zvarrë dhe arrestimi i tyre, e bën Kuvendin e Kosovës jodemokratik. Kjo Qeveri që po tenton ta shtypë opozitën, i ka ditët e numëruara në pushtet”, ka thënë Dërguti.

Ajo ka shtuar se opozita do ta vazhdojë ballafaqimin brenda dhe jashtë Kuvendit “duke i qëndruar besnike kauzës sonë”.

Në konferencë foli edhe anëtari tjetër i këtij subjekti politik, Driton Çaushi, i cili tha se dhuna e policisë mbi deputetët opozitarë u bë nga “paniku që e kapur pushtetin për shkak të kundërshtimit në rritje gjithëpopullor ndaj tij”.

Deputetët Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi, Shqipe Pantina, Fisnik Ismaili, Enver Hoti, Teuta Haxhiu, Mytaher Haskuka dhe Rexhep Selimi u arrestuan nga Policia e Kosovës pasi dyshohen për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (Gaz lotsjellës) dhe “Pengim i personave zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Ata u arrestuan dje gjatë seancës së parë të mbajtur për këtë vit të Kuvendit të Kosovës, ku disa herë u hodh gaz lotsjellës./Insajderi