Vetëvendosje tregon për çfarë biseduan me LDK-në, caktojnë ditën e takimit tjetër

Vetëvendosje tregon për çfarë biseduan me LDK-në, caktojnë ditën e takimit tjetër

Lëvizja Vetëvendosje ka treguar se gjatë takimit të sotëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), është diskutuar për sigurinë e jashtme dhe të brendshme dhe për procese tjera ligjore, raporton Gazeta Insajderi.

Në faqen zyrtare të Vetëvendosjes thuhet se në shumicën e çështjeve është gjetur pajtim i përbashkët në mes tyre.

“Sot, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u mbajt takimi i radhës i grupeve punuese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilin u diskutua për sigurinë e jashtme dhe të brendshme, procesin e vetingut, ligjin për shqyrtimin dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, trajtimin e krimeve të luftës dhe krijimi i mekanizmave shtetërorë për dokumentim e arkivim të krimeve të luftës në Kosovë, si dhe krijimi i një organi të posaçëm për hetime me qëllim të dekriminalizimit të institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Po ashtu në këtë takim është caktuar edhe dita tjetër se kur do të mbahet takimi në mes të dy partive ku pritet të diskutohet për arsimin dhe shëndetësinë.

“Diskutimi u zhvillua në një frymë pozitive dhe shumë konstruktive. Për shumicën e çështjeve, u gjet pajtim i përbashkët. Grupet u dakorduan për detajizim edhe të disa çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Takimi i radhës, do të mbahet të hënën, ku do të diskutohet për arsimin dhe shëndetësinë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes. /Insajderi.com