Vettingu, Komitetit Shqiptar i Helsinkit: 125 gjyqtarë e prokurorë janë larguar nga sistemi i drejtësisë

Vettingu, Komitetit Shqiptar i Helsinkit: 125 gjyqtarë e prokurorë janë larguar nga sistemi i drejtësisë

Dy vjet pas fillimit të procesit të vetingut 223 gjyqtarë e prokurorë kanë kaluar skanerin për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe përgatitjen profesionale.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka monitoruar të gjithë procesin e vettingut prej fillimit të tij dhe konstaton se ai po ecën me ritme të ngadalta pasi vetëm 27 % e subjekteve kanë kaluar fazën e parë.

Nga analiza e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezulton se pas dy viteve janë larguar nga sistemi i drejtësisë 125 gjyqtarë e prokurorë. 83 magjistratë janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur u Kualifikimit, ndërsa 42 janë larguar pasi kanë dhënë dorëheqjen apo kanë dalë në pension. KPK ka shkarkuar 50 gjyqtarë, 31 prokurorë dhe 2 ndihmës ligjorë.

Ndër arsyet e shkarkimit dominon pasuria e pajustifikuar, pasi 35 magjistratë janë shkarkuar për këtë; 1 magjistrat është shkarkuar për kriterin e pastërtisë së figurës dhe 47 janë shkarkuar për më shumë se një kriter.

2 vjet pas fillimit të vettingut; 97 magjistratë kanë kaluar të gjitha verifikimet e janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit; 40 prej tyre janë gjyqtarë dhe 48 janë prokurorë.

Ndërsa në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit janë kryer 102 ankime. Pjesën më të madhe të ankimeve në Kolegj e kanë bërë vetë subjektet e rivlerësimit, 73 raste; ndërsa Komisioneri Publik ka ankimuar 29 vendime të shkallës së parë.

Që prej fillimit të punës Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dhënë 46 vendime. Në 32 raste KPA ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vetëm në 9 raste Kolegji e ka ndryshuar këtë vendim.