Visar Ymeri nuk merr asnjë pozitë në PSD – Vendosë që t’i kthehet Institutit

Visar Ymeri nuk merr asnjë pozitë në PSD – Vendosë që t’i kthehet Institutit

Partia Socialdemokrate e Kosovës ka mbajtur dje zgjedhjet e brendshme të partisë. Dardan Molliqaj është zgjedhur kryetar i ri i PSD-së, duke marrë postin që deri dje e mbante Shpend Ahmeti. Visar Ymeri është vlerësuar si një nga njerëzit më të rëndësishëm në këtë parti, por që nuk ka marrë asnjë pozitë të lartë në hierarkinë e PSD-së. Ymeri ka thënë që do të jetë ende pjesë e PSD-së, por që më shumë do të mirret me një punë tjetër në një Institut të themeluar tash vonë.

“Unë do të mbetem anëtarë i Partisë Social Demokrate dhe në këtë kohë do të merrem me shumë me Institutin e themeluar tash rishtazi që ka për qëllim të merret me studime shoqërore, perspektivën politike nga perspektiva Social Demokrate. Vazhdoj me qenë pjesë e PSD-së dhe e politikës në vend”, tha Ymeri.

Ai komentoi edhe ndryshimet e fundit në PSD, ku tha se ishte vendim i kryesisë për zgjedhje të jashtëzakonshme brenda partisë. I pyetur se si do të arrijë Molliqaj të udhëheqë me një parti, kur nuk arriti të mbledhë votat as për deputet, Ymeri theksoi se beson që ai do të ketë suksese, por që duhet punë e angazhim i madh.

“Ka qenë vendim i kryesisë së PSD-së që të thërrasin zgjedhje të jashtëzakonshme në parti pas rezultatit zgjedhor dhe nga këto zgjedhje është parë e udhës që të ketë ndryshime që të ketë një fillim të ri të PSD-së. Mendoj që politika është afatgjate dhe PSD duhet të jetë një parti e spektrit të majtë dhe që duhet të profilizohet në kuptimin e politikave, konceptit e ideologjisë dhe kështu të shtrojë rrugën e konsolidimit të vetes si parti që paraqet interesat e shpresat e mbarë shoqërisë, veçanërisht të atyre që e kanë të vështirë të organizojnë këtë sistem shoqëror. Mendoj se duhet të ketë sukses, por duhet edhe punë e angazhim”, tha ai për Indeksonline.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëkohë edhe pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje komentoi edhe zhvillimet e fundit në vend, si dhe mos arritjen e koalicionit qeverisës në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Sipas tij më e rëndësishme se emrat të cilët po komentohen është të diskutohet se çfarë do të bëjë qeveria e ardhshme.

“Mendoj se me ato që kemi parë dhe dëgju është një zgjedhje kapriçoze nga të dyja palët, një lloj papjekurie politike, por për mu gjëja më e rëndësishme është ajo për çfarë nuk po flasin, e për të cilën duhet pra për programin qeverisës, nëse kjo qeveri themelohet. Natyrisht që emrat janë të rëndësishëm, mirëpo më e rëndësishme është se çfarë do të bëjë qeveria e ardhshme”, përfundoi Ymeri.