Viti i përgjakur në komunikacion

Viti i përgjakur në komunikacion

Tronditës ishte viti 2018 për frekuentuesit e komunikacionit.

Rrugët e Kosovës janë përgjakur sërish, nga një numër i madh vdekjesh, si pasojë e ndeshjeve, shtypjeve të këmbësoreve apo edhe vet-aksidenteve.

86 aksidente kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa 121 është numri i të vdekurve në këto aksidente brenda 1 viti.

Shkaktarët që më së shumti çojnë në aksidente të rënda janë: moskujdesi ndaj shenjave, mospërshtatja me to dhe dëshira e madhe e shpejtësisë.

Brenda vitit kishte shumë më tepër aksidente… 5 mijë e 706 raste të aksidenteve janë me të lënduar, ku kanë pësuar 11 mijë e 336 persona.

Rajoni i Prishtinës zë vendin e parë në listë me më së shumti aksidente përgjatë vitit 2018.

Rasti më i rëndë në vitin 2018, ndodhi në këtë vend, në korrik të këtij viti në magjistralen Suharekë- Prishtinë, në afërsi të fshatit Duhël, një veturë u godit me një autobus, ku vdiqën 5 anëtarë të familjes Sadikaj nga fshati Sopi i Suharekës.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në vitin 2018, vërehet rënie e aksidenteve me fatalitete, pasi që në vitin 2017 për 11 muaj kanë vdekur 119 persona.

Ndërsa, ishin shënuar 16 mijë e 122 aksidente.

Në fshatin Dush të Komunës së Klinës, në shtator të 2018, 3 persona nga e njëjta familje vdiqën si pasojë e goditjes së veturës nga treni

Mirëpo, pavarësisht uljes së numrit të përgjithshëm të aksidenteve, numri i personave të vdekur nga aksidentet ka mbetur pothuajse i njëjtë.

Dy gra të reja në moshë u goditën nga një veturë që vinte me shpejtësi të madhe. Për fat të keq nuk u mbijetuan plagëve, njëra kishte vdekur në vend të ngjarjes, ndërsa tjetra disa ditë më pas

E të gjithë shoferëve apel për kujdes në komunikacion u ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

E në prill të 2018 ishin policët ata që u bënë viktima të aksidentit. Në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik, tek vendi i quajtur “Kulla me qeshme”, një veturë e Policisë së Kosovës në të cilën ndodheshin dy policë, humbi kontrollin dhe kaloi në anën e majtë të rrugës dhe nga lartësia e madhe kishte rënë në rrjedhën e lumit Lepenc. Malësor Dashi dhe Armend Trena, të dytë policë të stacionit të Kaçanikut u gjetën të vdekur pas disa ditë kërkimesh në lum.

Në vitin 2018, u shënuan raste kur në aksidente u përfshinë edhe vetura të institucioneve të tjera si eskorta e ambasadores turke në magjistralen Prishtinë-Gjilan dhe një veturë e KFOR-it në Fushë Kosovë.

Një aksident që nxiti shumë reagime ndodhi pikërisht në këtë vend. Është ky në afërsi të fshati Mramor në magjistralen Prishtinë- Gjilan, ku 4 persona të familjes Shala nga fshati Ponesh humbën jetën. Arsyeja pse u debatua është se vetura e familjes Shala u godit direkt me veturën me të cilën udhëtonte ambasadorja turke në Kosovë

Në ekspertizën e bërë nga Prokuroria e Themelore e Prishtinës konstatohet se fajtor i aksidentit ishte vetura Opel Corsa, në të cilën edhe ndodheshin viktimat e aksidentit.

Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit vlerëson se situata e tillë vjen si pasojë e dështimit të sistemit shtetëror për të ngritur vetëdijen dhe për të krijuar siguri më të madhe në komunikacion.

Ministria e Brendshme thotë se ka marrë të gjitha masat të cilat konsideroheshin të nevojshme për parandalim të aksidenteve, por përsëri, sjelljet në komunikacion nuk po ndryshojnë.

Edhe Policia e Kosovës disa herë ka ndryshuar masat në përpjekje për të parandaluar aksidentet.

Në përgjithësi në Kosovë, gjatë vitit 2018, kanë ndodhur 14 mijë e 393 aksidente, apo 39 brenda 24 orëve.