Vizitat e pa raportuara jashtë vendit, përplasin Komisionin për Punë të Jashtme

Vizitat e pa raportuara jashtë vendit, përplasin Komisionin për Punë të Jashtme

Në takimin e Komisionit për Punë të Jashtme është propozuar që Ligji për Dialogun të trajtohet në mbledhjen e ardhshme.

Kryetarja e komisionit Vjosa Osmani, tha se ky ligj nuk është duke u shtyer pafundësisht.

“Duhet me kalu 2 jave punë për me dalë në seancë, janë vetëm çështje procedurale. Ne mund ta trajtojmë edhe sot. Ligji është shumë jo serioz, mirëpo tema është serioze”, tha ajo.

Ndërkaq, Dukagjin Gorani, nga PSD-ja tha se ka kërkuar që në rendin e ditës së mbledhjes së ardhshme ta fusin edhe projektligjin për dialogun dhe ta votojnë, raporton Koha Ditore.

“PSD nuk e ka për ngut por kjo është obligueshmëri ligjore. Mundeni me e shty këtë pafundësisht, por qëllimi është që ajo që është të cilën e kemi shkruar të bëhet ligjore”, tha ai.

Ndërkaq vizitat jashtë vendit kanë përplasur kryetaren e Komisionit Vjosa Osmani me anëtaren nga radhët e PDK-s, Evgjeni Thaçi-Dragushq.

“Në të ardhmen duhet te diskutojmë për vizitat që do të bëjmë. Ju që keni shkuar në vizita duhet të kemi transparencë, duhet të dimë se a keni shkuar ta promovoni veten apo të loboni”, ka thënë Thaçi.

Vjosa Osmani i ka thënë se sa u përket vizitave të saj, ajo ka treguar në raport që është dorëzuar dhe ka kërkuar mbledhjen e kaluar që të gjithë të bëjnë raport për vizitat. “por ti s’ke qenë në mbledhje prandaj nuk je e informuar”, i tha Osmani.

“Në mbledhjen e fundit të komisionit kemi diskutuar që ta bëjmë një plan jo vetëm për vizita jashtë vendit por edhe për ftesa se kë duhet ta ftojmë. Ne jemi në diskutime me ambasadën tonë në Gjermani dhe Londër. Unë kam kërkuar në kryesi që temat e komisionit tonë të mos stërzgjaten”, tha ajo, raporton Koha Ditore.

Osmani i kërkoi edhe Danush Ademit t’i raportojë vizitat e shpeshta në Gjermani.

“Danush, s’ke kallxu qe je kanë në Gjermani”, i tha si me humor Glauk Konjufca-Ademit.

Danushi e konfirmoi me një lëkundje koke se do të raportojë edhe për këtë vizitë.