Vjedhje në një qendër tregtare – Policia e Kosovës ka një apel për të gjithë qytetarët

Vjedhje në një qendër tregtare – Policia e Kosovës ka një apel për të gjithë qytetarët

Policia e Kosovës në Rajonin e Pejës ka njoftuar sot se rastet e vjedhjeve nëpër qendrat tregtare të Pejës janë rritur dhe si pasoj e kësaj dukurie policia ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes të shtuar ndaj gjërave të tyre me vlerë.

Policia ka njoftuar se një rast i vjedhjes ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në ora 15:30, teksa të dyshuarit për vjedhje kanë sulmuar zyrtarët policorë në dy raste.

“Me datë 19.07.2018 rreth orës 15:30 policia është njoftuar për një rast në një qendër tregtare në Pejë. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit të dyshuar për vjedhje dhe me të arritur në vendngjarje kanë hasur në veturën ‘Audi A3’ ngjyrë e kaltër me targa vendore”.

“Policia i kanë dhënë shenjë të ndalet, por të dyshuarit nuk u ndalën dhe e goditën veturën e policisë duke ua rrezikuar jetën zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftim, shkruan Insajderi.

Një patrull tjetër e Policisë së Kosovës i është vënë në ndjekje të dyshuarve të cilët ka arritur t’i arrestojë, teksa lëndime kanë pësuar zyrtarët policorë gjatë arrestimit.

“Patrullat e policisë menjëherë janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar dhe gjatë arrestimit të tyre të dyshuarit i kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë  të cilëve ju kanë shkaktuar lëndime trupore”.

“Policia e Kosovës, respektivisht stacioni policor në Pejë, me qëllim të ngritjes së sigurisë në zonën e përgjegjësisë , vazhdon me aktivitete të shtuara në zbatimin e ligjeve dhe në zbulimin e kryesve të veprave penale të të gjitha fushave, vjedhjeve, vjedhjeve të rënda, pengimin dhe kapjen e kryesve të veprave të ndryshme penale, duke zbatuar  autorizimet dhe kompetencat sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se ka arritur të arrestojë dy të dyshuarit të cilët beson se janë në krye të këtij grupacioni.

“Policia e Kosovës pasi që i ka identifikuar të dyshuarit e një grupi i cili vepron në tërë territorin e Republikës së Kosovës ka arritur të arrestojë dy (2) persona nga ky grup, G.H. 1993 m/k/sh  fsh. Kishnarekë Drenas, E.K. 1993 m/k/sh  Prishtinë”.

“Në lidhje me këtë rast është njoftuar prokurori i shtetit dhe të gjitha veprimet policore në terren janë ndërmarrë në koordinim me të njëjtin. Policia e Kosovës apelon te qytetarët që në rastet e parkimit të veturave në qendrat tregtare të kenë kujdes të shtuar për ruajtjen e sendeve me vlerë në vende sa më të sigurta dhe jo të ekspozuara”.

“Policia e Kosovës i falënderon qytetarët e kësaj zone të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar policinë pa hezituar në raportim të dukurive negative kriminale brenda shoqërisë sonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund dhe duhet të krijojmë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në komunën e Pejës dhe  të rajonit në përgjithësi.  Andaj, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen me policinë e shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.