Vjen reagimi i Serbisë pas vendimit për paraburgim ndaj kryetarit të Kllokotit

Vjen reagimi i Serbisë pas vendimit për paraburgim ndaj kryetarit të Kllokotit

Pasi Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, ka reaguar e ashtuquajtura “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, transmeton Insajderi.

Nga kjo zyrë u kanë bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë “të ndalojnë persekutimin politik të përfaqësuesve serbë në Kosovë”.

Ajo ka theksuar se asnjë gjykim i organizuar kundër Bozidar Dejanoviqit që synon diskreditimin e tij, nuk do të zvogëlojë besimin që gëzon Lista Serbe në mesin e qytetarëve serbë në Kosovë.

“Është e qartë se institucionet vetëqeverisëse në Prishtinë po shtypin përfaqësuesit e serbëve në Kosovë dhe po përpiqen t’i diskreditojnë ata me procese manipulimi. Bëhet fjalë për persekutimin politik të Dejanoviç, vendim ky i cili synon kriminalizimin e përfaqësuesve politikë të serbëve dhe hijezimin e mbështetjes madhështore të Listës Serbe, për të cilën 96.14 përqind e qytetarëve në zonat serbe në Kosovë votuan në zgjedhjet e mëparshme”, thuhet në reagim.

Gjykata Themelore e Prishtinës të shtunën i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Dejanoviqit, nën dyshimin për manipulim me vota./Insajderi.com