“Vjosa Osmani është një “mini-Vetëvendosje” brenda LDK-së”

“Vjosa Osmani është një “mini-Vetëvendosje” brenda LDK-së”

Analisti politik, Faton Abdullahu, ka komentuar në lidhje me zhvillimet e fundit sa i përket ofertës së Lëvizjes Vetëvendosje për Lidhjen Demokratike të Kosovës, që i bëri gjatë ditës së djeshme, gjë për të cilën pati reagime të shumta nga të dyja anët.

Nënkryetarja e LDK’së, Vjosa Osmani ishte njëra ndër të cilët reaguan pas kësaj oferte, e cila i ka dalë në krah VV’së, duke kujtuar vitin 2017’të, kur sipas saj është ndërtuar koalicioni i shpresës. Abdullahu në këtë rast e quan Osmanin si një “mini-Vetëvendosje” përbrenda LDK’së.

Në një prononcim për Gazetën Metro, Abdullahu tha se oferta e Lëvizjes Vetëvendosje me rritjen e numrit të ministrive, nuk është kuptuar njëjtë nga anëtarët brenda LDK’së, pasi që sipas tij ndryshe e kishte lexuar Vjosa Osmani nga Agim Veliu i cili këtë ofertë e ka quajtur si nënçmuse për partinë të cilës i takon.

“Nëse ende pa filluar qeverisja ky numër ndryshoj pa dhënë arsyetime të justifikueshme, askush nuk mund të garantoj se kjo nuk do të ndodhë prapë në të ardhmen e afërt. Në anën tjetër e keqe e madhe është se përbrenda LDK-së oferta e re e LV-së nuk u lexua as nuk u kuptua njëjtë. Ndryshe e lexon këtë Vjosa Osmani e krejt ndryshe Agim Veliu. Vjosa Osmani është një ‘mini-vetëvendosje’ përbrenda LDK-se, kurse Agim Veliu është një koncept refuzues impotent dhe i pa reformuar”, ka thënë Abdullahu për Gazetën Metro.

Abdullahu tutje ka shtuar se kjo ofertë e Lëvizjes Vetëvendosje, që sipas tij nuk dallon nga ato të mëparshme, nuk garanton funksionalitet më të mirë të një qeverie dhe se me këtë ofertë të re, sipas tij, më së shumti ka fituar Lista Serbe.”

“Ofertat e re LV-së nuk është ofertë që dallon në thelb nga ato të mëparshmet. Rritja apo zvogëlimi i numrit të ministrive në veten e vet nuk garanton kurrfarë funksionaliteti më të mirë të një qeverie. Kjo vetëm garanton akomodim të individëve e klaneve përbrenda partive fituese. Me këtë më së shumti u korit LV e cila trumbetonte me rrahagjoks se 12 ministri në qeverinë e re është fillim i reformave të mëdha. Me ofertën e re të LV-së, në të vërtetë fitoj më së shumti Lista Serbe”, ka shtuar tutje ai.

Sipas Abdullahut, një situatë e tillë jo vetëm që e bën më të vështirë arritjen e një marrëveshje, por tani është në pikën e saj më të ulët.

Ndërkaq, edhe pas tre muajve nga zgjedhjet nacionale, VV-LDK pas shumë negociatash ende nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës.