Vjosa Osmani: LDK-ja i kërkoi VV-së edhe një javë kohë, na thanë “jo”

Vjosa Osmani: LDK-ja i kërkoi VV-së edhe një javë kohë, na thanë “jo”

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për bisedimet mes partisë së saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisjen e vendit.

Osmani ka thënë në emisionin se “dje çka ndodhi ka filluar nga pardje”.

“Nga qëndrimi i Albin Kurtit nga një ofertë që e kishte bërë më herët, dhe njëfarë shpallje e dështimit të negociatave”, ka shtuar ajo.

“Pas saj, natyrisht që LDK mbajti qëndrimin se mund të diskutojmë për pozitat për të cilat kemi folur më herët…”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka thënë se LDK’ja nuk ka ditur se si do të vepronte VV-ja në seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës, para propozimit të Glauk Konjufcës për kryeparlamentar.

“Kur shkuam në Kuvend tentuam të marrim vesh se çfarë po ndodh”, ka thënë ajo. “Nuk morëm përgjigje”, ka treguar Osmani.

Osmani ka thënë se LDK-ja ka kërkuar nga VV-ja të bisedojnë edhe një javë, në përpjekje për arritjen e marrëveshjes.

“Ishim optimistë që mund të arrihej një marrëveshje. Kërkuam edhe një javë kohë nga VV, na thanë jo”, është shprehur ajo.

“Ia ka vlejtur barra qiranë të provojmë edhe një javë”.

“Nuk ka pasur asnjë nevojë të merret një vendim i tillë, t’i dëmtojë raportet”, ka vlerësuar ajo, duke iu referuar propozimit të Konjufcës së VV’së për kryetar të Kuvendit.