Vjosa Osmani tregon se LDK i ka bërë ofertë të re Vetëvendosjes

Vjosa Osmani tregon se LDK i ka bërë ofertë të re Vetëvendosjes

Deri në arritjen e një koalicioni dhe eliminimit të mospajtimeve, duket se dy partitë, LDK dhe Vetëvendosje do të vazhdojnë t’i bëjnë oferta njëra tjetrës.

Se LDK i ka bërë një ofertë të re Vetëvendosjes, e ka konfirmuar nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani, megjithatë ajo s’ka dashur që të futet shumë në detaje.

Vjosa Osmani, ka thënë se LDK nuk është duke bërë kushtëzime në negociatat me partinë e Albin Kurtit.

Po ashtu, Osmani ka folur edhe për ndarjen e ministrive, duke thënë se secila ministri është e rëndësishme.

“E kam të pamundur të hy në detaje për kërkesa, me rendësi të kemi një parlament që kryen përgjegjësi efektive. Kushtetuta është e qartë në ndarjen e përgjegjësive. LDK ka dhënë një ofertë të vet, por s’dua të jap detaje, pasi deri në takimin e fundit që “bëhet ose nuk bëhet” nuk i ndihmon negociatave nëse e them. Nga ana jonë nuk ka kushtëzime, dhe nuk ka pasur, ka propozime vetëm”.

“Me faktin që ne vazhdojmë negociatat, tregon që jemi në këtë proces për të bërë propozime që garantojnë funksionimin demokratik të institucioneve. Propozimet kanë për qëllim mos të ngecim në mes të rrugës. Nganjëherë më shumë ne insistojmë për Qeveri 4 vjeçare sesa VV. Në këtë ndarjen e ministrive secila ministri është e rëndësishme, secila është e fuqishme, secila e fortë. LDK do ta marrë pjesën e saj nëse ka marrëveshje, dhe askush nuk duhet të ngelet i dëshpëruar nga cilado ngjarje”, ka thënë ajo për Blic.

Negociatat mes këtyre dy partive kanë ngecur që pas takimit të fundit mes Isa Mustafës dhe Albnin Kurtit, që kishte përfunduar me mospajtimin e VV’së për kërkesën e LDK’së që ta ketë presidentin.