Vjosa Osmani vepron si Teuta Rugova, shpërfill qëndrimin e partisë së saj

Vjosa Osmani vepron si Teuta Rugova, shpërfill qëndrimin e partisë së saj

Deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani po ndjek hapat e deputetes, Teuta Rugova, e cila shpesh herë kundërshton vendimet e partisë së saj, (LDK-së) për të përkrahur Qeverinë në pushtet, siç mori pjesë e vetme në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria ku po diskutohej për emërimin e Ekipit negociator dhe dialogun me Serbinë.

Osmani minuta më parë, përmes një postimi në Facebook konfirmoi se do të jetë pjesë e protestës së nesërme, të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër së cilës ditë më parë ka dalë kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ku ka konfirmuar se LDK nuk do të jetë pjesë e protestave të VV-së.

“Nuk e konsiderojmë që tash kemi nevojë të dalim në rrugë dhe të protestojmë për këto çështje. Në atë moment kur LDK0- e sheh të nevojshme se duhet të protestohet për një çështje atëherë do të dalin dhe do të marrim përgjegjësi për to”, kishte thënë Mustafa.

Osmani i ka dalë në përkrahje VV-së, duke renditur disa arsye, e duke thënë se “të gjithë kemi vetëm një atdhe”.

Me arsyetime të ngjashme si ‘atdheu’, ‘ecja përpara e vendit’ ka përkrahur edhe Teuta Rugova qeverinë. Rugovës i kishte dalë në mbrojte edhe zëvendëskryeministri Dardan Gashi, duke konsideruar të drejta pjesëmarrjet e saj në seancat e thirrura nga kryeministri Haradinaj.

“Ajo tuk i ka bërë vjet për tu bërë deputete, nuk menaxhohet nga askush por LDK-ja duhet të ketë parasysh që nuk mund të jetë peng e Avdullah Hotit dhe e synimeve të tij. Teuta Rugova e ka mbështet një opsion i cili e përfaqëson Qeverinë e Kosovës në Bruksel dhe Parlamentin e Kosovës dhe ajo nuk ka bërë aszgjë të keqe”, kishte thënë Gashi. /Insajderi.com

Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Sot, nesër dhe çdo ditë tjetër PROTESTOJ
kundër ndarjes dhe zhbërjes së shtetit të Kosovës

– Sepse tendenca për ndarje dhe për ndryshim kufijsh e rrezikon vetë qenësinë e shtetit të Kosovës, dhe kur rrezikohet të zhbëhet shteti, e kemi detyrim qytetar t’i themi JO.
– Sepse shpërblimi i Serbisë me tokë të Kosovës, kur asnjë lider serb nuk ka kërkuar falje për mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, shumë të zhdukur, qindra mijëra shtëpi të shkatërruara e mbi 1 dekadë të regjimit represiv serb, nuk duhet të pranohet.
– Sepse kur shteti është në rrezik, nuk duhet të kenë më rëndësi ideologjitë, partitë apo dallimet e tjera. Të gjithë e kemi vetem një atdhe.
– Sepse po heshtëm tani, viktimat e luftës dhe të pasluftës në veriun e vendit nuk do të jenë të qetë në varret e tyre – sepse ata u vranë në tokat që sot disa po i quajnë ‘dhuratë nga Rankovici’;
– Sepse po heshtëm tani, do të vdesë shpresa e çdo qytetari të veriut i cili është refugjat në vendin e tij;
– Sepse për të qenë shtet, Kosovës nuk i duhet vula e Serbisë; sepse shteti ynë ka vulën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; por mbi të gjitha, shtetësia jonë është vulosur nga sakrifica shumë-vjeqare e popullit tonë;
– Sepse për Presidentin dhe bashkëbiseduesit e tij është në pyetje vetëm kariera e tyre politike, por për ne është në pyetje e ardhmja e fëmijëve tanë.
Dhe për këtë, do të protestojë jo vetëm me 29 shtator, por çdo ditë nëse është nevoja.