Vlerësime pozitive, dhunë ç’njerëzore- Kush janë zyrtarët që dyshohen në Policinë e Kosovës

Vlerësime pozitive, dhunë ç’njerëzore- Kush janë zyrtarët që dyshohen në Policinë e Kosovës

Ndonëse Policia e Kosovës, shquhet për vlerësime pozitive brenda Kosovës dhe rajonit, brenda strukturës së saj ka shumë zyrtarë policor që dyshohen për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë edhe dhunë ç’njerëzore ndaj qytetarëve.

 

Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të të Drejtave të Njeriut ruan një vlerësim kryesisht pozitiv për Policinë, por ai ka përmendur që deri në 10 % e policëve edhe mund të futen në krime, përfshirë këtu edhe dhunën e paarsyeshme ndaj qytetarëve.

“ Policia e Kosovës është një ndër polictë më profesionale në rajon, mund të them që mbi 90% kanë sjellje profesionale por ka edhe fërkime me qytetarët kur në rast Policia shqipton një gjobë apo diçka tjetër. Vetë kam qenë i pranishëm ku një polic ja ka shqiptu gjobën një qytetari dhe në vend se të pajtohet ta merr gjobën dhe të vazhdoj tutje, i drejtohet ju jeni kriminale ju jeni më zi se sa policia serbe”, ka thënë Shala.

IPK-ja për dyshime që kanë kryer vepra të ndryshme penale është duke i hetuar 330 policë. Nga ta 215 janë veç oficerë policie, 46 janë me gradën rreshterë, 11 prej tyre janë me gradën togerë, 10 të tjerë me gradën kapiten. Nën hetime për krime janë edhe 5 majorë të Policisë së Kosovës, 6 nënkolonelë dhe 3 kolonelë. Një pjesë e mirë e zyrtarëve me grada të larta që janë nën hetime përfshihen aferën e policëve që ishin deklaruar që janë invalidë të luftës së fundit në Kosovë, ani pse ligji ua pamundëson që të jenë police duke qenë invalidë- por statusi i dyfishtë u mundëson shumë përfitime materiale. Nga ky skandal janë përcjellë me raport informues nga IPK-ja 140 raste.

Policia kosovare është inkriminuar keq. Ata vetëm në këtë vit, aktualisht në hetime preliminare i kanë 134 raste. Deri tash në Prokurori kanë dërguar 41 raste, me raport të veçantë 9 raste të tjera, e me raport informues edhe 141 raste të tjera. Në proces i kanë edhe 45 raste të tjera. Vetëm në këtë vit nëpër prokurori e në departament të përgjithshëm, kanë dërguar 178 raste, kurse në Departament të krimeve të rënda kanë dërguar 10 raste të tjera. Në Prokurorinë Speciale i kanë dërguar edhe 2 raste të tjera kurse në atë për të miturit, 1 rast. InDoks kohë më parë kishte transmetuar dokumentarin ekskluziv, “E përdhunuar nga shteti”, për rastin e të miturës nga Drenasi, ku i përfshirë në dhunë seksuale dhe jo vetëm, ishte polici Vesel Veseli.

Kurse, Kushtrim Hodaj,  nga Inspektorati Policor i Kosovës(IPK),  ka treguar se sa zyrtarë policor janë arrestuar vetëm gjatë këtij muaji.

“IPK-ja vazhdimisht ka pas raste ku qytetarët janë keqtrajtuar apo shkaktim të lëndimeve nga zyrtarët policore në pesë vitet e fundit. Mbi 100 raste penale nga IPK-janë dërguar janë përcjell në Prokuroritë kompetente me kallzëime penale apo raporte veçanta, nëse i marrin  shifrat e këtij viti të raportit nëntë mujor , dikun 16 raste  që janë trajtu si raste penale si keqtrajtim apo shkaktim lëndimit trupor nga Policia.  Në nëntë muaj gjatë këtij viti janë arrestuar 32 zyrtare dhe tre qytetarë, 57 zyrtarë policor janë suspenduar dhe janë 8 të transferuar nga vendet e punës”.