Vlorë, kapet furgoni me 710 kg kanabis, arrestohet 71-vjeçari

Vlorë, kapet furgoni me 710 kg kanabis, arrestohet 71-vjeçari

Një sasi prej 710 kg kanabis sativa është sekuestruar gjatë mbrëmjes së djeshme në Vlorë, ku policia ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, gjatë natës kanë sinjalizuar një automjet i cili dyshohej se transportonte lëndë narkotike.

Policia ka nisur ndjekjen dhe më pas ka bërë bllokimin e mjetit tip “Furgon” me targë EL 2494 C, në orët e para të mëngjesit të sotëm në banesën e shtetasit Selman Hamitaj, në fshatin Dukat, Vlorë.

Nga këqyrja që i është ushtruar këtij mjeti, brenda në të është konstatuar një sasi me lëndë narkotike, e cila pas peshimit të përgjithshëm ka rezultuar në total: 710 kilogramë, e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.

Lënda narkotike ishte e ndarë dhe e vendosur në 27 pako të mbështjella me plastikë dhe natriban, si dhe në 8 çanta sportive, të cilat u bllokuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në lidhje me këtë ngjarje, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Selman Hamitaj, 71 vjeç, banues në fshatin Dukat, Vlorë, dhe ka shpallur në kërkim shtetasin B.T., 44 vjeç, banues në Durrës, si autorë të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje.

Vazhdojnë hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorëve të tjerë bashkëpunëtorë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.(gazeta-shqip)