Fadil Vokrri ka komentuar mundësinë e emërimit të Gianni De Biasit në krye të Përfaqësueses së Kosovës.
Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, i cili së fundmi drejtoi Alavesin, ditën e djeshme është shkarkuar nga klubi spanjoll, raporton Insajderi.
Deportivo Alaves shkarkoi De Biasin shkaku i rezultateve të dobëta – pas 8 ndeshjeve në drejtim të klubit.
De Biasi u emërua trajner i Alavesit më 22 shtator, derisa vendimin për shkarkimin e tij klubi spanjoll e mori pas humbjes së fundit me rezultat 2:1 ndaj Eibarit.
I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka hedhur poshtë mundësinë e emërimit të De Biasit trajner i Përfaqësueses.
“Jo, nuk ka mundësi që De Biasi të jetë trajner i Kosovës”, ka thënë Vokrri për Insajderin.
“Ai ka qenë deri dje në Alaves, ne jemi në forma të avancuara dhe kemi bërë takime dhe analiza me disa trajnerë. Ajo [çështja e De Biasit v.j] është ad-hoc për ne”, ka përfunduar Vokrri.
Kosova vazhdon të jetë në kërkim të një selektori, që prej largimit të Albert Bunjakut më 10 tetor të këtij viti. /Insajderi