Vokrri: Ndeshja Kosovë-Turqi do të jetë e vështirë për të dyja skuadrat

Vokrri: Ndeshja Kosovë-Turqi do të jetë e vështirë për të dyja skuadrat

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, duke folur për gjendjen e skuadrës së përfaqësueses së Kosovës, ka komentuar rreth ndeshjes së ardhshme kualifikuese Kosovë-Turqi, për “Botërorin 2018”.

Vokrri tha se ndeshja Kosovë-Turqi e cila do të luhet më 11 qershor në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër të Shqipërisë do të jetë një ndeshje e vështirë për kombëtaren e Kosovës, “e cila është në kërkim të fitores”.

Por sipas tij kjo ndeshje do të jetë e vështirë edhe për Kombëtaren e Turqisë, “të cilës i duhet fitorja për të mbajtur gjallë shpresën për kualifikim”.

“Dhe kjo do të thotë se do të shohim një ndeshje jashtëzakonisht të mirë e të bukur për shikuesit”, thotë Vokrri.

Vokrri shprehu besimin se si çdo herë tjetër ashtu edhe në këtë ndeshje adhuruesit e futbollit kosovar do të jenë në nivelin e duhur me sjellje “ndaj mikut, ashtu si ishte edhe në ndeshjen që u zhvillua vitin e kaluar më 12 nëntor në Antalya”.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së luajtjes së ndeshjeve jashtë Kosovës ai tha se “Ndonëse Shqipëria është vendi i shqiptarëve, mungesa e stadiumit na shkakton probleme në organizim dhe në shtim të shpenzimeve, si dhe në mundim për tifozët të cilët duhet të udhëtojnë drejt Shkodrës”.

Lidhur me atë se a do të ftohet ndonjë lojtarë tjetër, sidomos në pozitën e mbrojtësit, duke e ditur se në 5 ndeshjet e para Kosova ka mbledhur vetëm një pikë dhe ka pësuar 14 gola, Vokrri tha se trajneri i skuadrës, Albert Bunjaki bën komponimin e skuadrës dhe që ai gëzon përkrahjen e FFK-së.

“Gjithsesi si profesionist mendoj se kemi një skuadër të re e cila nga dita ditës po plotësohet me futbollist të rinj, qoftë nga Liga e Kosovës, qoftë nga futbollistë që luajnë nëpër ekipe evropiane.” tha Vokrri në një intervistë për AA.

Kryetari i FFK-së, duke theksuar moshën e re dhe cilësinë e futbollistëve, tha se “Kombëtarja e Kosovës ka një perspektivë të ndritshme dhe me punë sistematike shumë shpejt do të jetë pjesë e eventeve evropiane dhe botërore”.

Vokrri thotë se shteti turk në vitet apo dekadën e fundit ka investuar shumë në futboll, gjë që sipas tij ka dhënë edhe rezultatet./Insajderi.com