Vokrri: Tragjedi fakti që Kosova nuk ka stadium

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri e ka cilësuar një tragjedi faktin që Kosova nuk ka ende një stadium që plotëson kushtet e FIFA-s për zhvillimin e ndeshjeve të futbollit.

Vokrri: Tragjedi fakti që Kosova nuk ka stadium

Fadil Vokrri është shprehur i habitur me faktin që përfaqësuesja e Kosovës nuk ka mundësi të zhvillojë ndeshje brenda territorit të saj, për shkak të neglizhencës së qeverisë për ndërtimin e një stadiumi që plotëson kushtet e UEFA-s dhe FIFA-s.

I ftuar në emsionin ‘Përballje’ të RTV Dukagjinit, Vokrri shpreh indinjatën e tij për mungesën e mbështetjes së duhur shtetërore për zhvillimin e futbollit në Kosovë.

Për këtë thotë se është ndjerë shumë keq kur është pyetur se ku do t’i zhvillojë Kosova ndeshjet e futbollit.

“Është tragjedi që një shtet i cili përfaqësohet në këto institucione, e i cili luan në eliminatore, nuk e ka një stadium futbolli “, ka deklaruar Vokrri.

“I rrethuar edhe me kundërshtarë të Kosovës, në një moment u thash se do të luajmë edhe në Beograd”, potencoi numri një i FFK-së.

I pari i FFK-së përsërit se është abnormale për një shtet të mos ketë stadium futbolli, teksa bën fajtorë Qeverinë e Kosovës dhe njerëzit e UEFA-s.

“Është një tragjedi që një shtet i cili përfaqësohet, i cili luan në eliminatore dhe të mos ketë një stadium futbolli sot. Unë me të vërtetë habitem me qeveritarët tanë, por habitem edhe me njerëzit e UEFA-s dhe FIFA-s”, tha Vokrri.

Ai shpreson se së paku dy ndeshje të Përfaqësueses do të zhvillohen vitin tjetër në Kosovë. /Insajderi.com