Vokrri tregon kush do të jetë trajner i Kosovës kundër Letonisë

Vokrri tregon kush do të jetë trajner i Kosovës kundër Letonisë

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri insiston se nuk do të ketë trajner të ri për ndeshjen miqësore ndaj Letonisë, e cila do të zhvillohet me 13 nëntor në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë

Kosova është pa trajner që nga nëntë tetori i këtij viti, kur Albert Bunjaki u largua në marrëveshje me FFK-në, pas më shumë se tetë viteve në krye të Kombëtares në futboll, kështu do të jetë edhe më 13 nëntor, ku Kosova do të luaj miqësore me Letoninë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Kjo është konfirmuar nga kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili thotë se Kosova nuk do të ketë trajner të ri për ndeshjen ndaj Letonisë.

Ai tregoi se për këtë miqësore Kombëtaren do ta udhëheqin dy trajnerët kosovar, Muharrem Sahiti dhe Genc Hoxha, të cilët ishin ndihmës të Albert Bunjakit.

“Kosova nuk do të ketë trajner të ri me 13 nëntor në ndeshjen ndaj Letonisë. Kombëtaren në këtë ndeshje do ta drejtojnë dy trajnerët,  Muharem Sahiti dhe Genc Hoxha”, tha Vokrri për Express.

Ai po ashtu foli edhe për trajnerin e ri, ku insiston se ende nuk kanë nisur bisedimet me askënd, sepse për momentin vetëm janë duke shikuar mundësitë.

“Ne nuk jemi ende në bisedime me asnjë trajner, pasi për momentin jemi në inspektim të tyre”, u shpreh ai në fund.

Pavarësisht se FFK ende nuk flet për emra, trajneri italian Rodolfo Vanoli e ka pranuar se ka pasur kontakt nga FFK dhe i ka thënë “po” Kosovës, por me disa kushte.

Në listën e Kosovës thuhet se janë edhe emrat e disa trajnerëve të tjerë të njohur nga Italia, Gjermania dhe Franca.