Von Cramon: Është koha e duhur që Këshilli i Jashtëm ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave

Von Cramon: Është koha e duhur që Këshilli i Jashtëm ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave

Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Europian, Viola von Cramon, ka deklaruar se Raporti i Progresit për Kosovën jep mesazhe pozitive për këtë vend, njofton Insajderi.

Ajo është shprehur se Parlamenti Europian beson që Kosova e ka një të ardhme europiane, derisa ka thënë se për këtë duhet të punojë me përkushtim qeveria e re.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë raport i cili unë besoj se dërgon mesazhe të qarta dhe pozitive për Kosovën. Ne këtu në Parlamentin Europian kemi besim në të ardhmen europiane të Kosovës dhe presim një përkushtim të njëjtë nga qeveria e re e Kosovës”, ka thënë ajo.

Von Cramon ka thënë se asnjë vend në rajon nuk ka qasje më pozitive karshi Bashkimit Europian sesa Kosova.

Ajo ka përmendur edhe liberalizimin e vizave duke thënë se ky premtim duhet të mbahet.

“Progresi i Kosovës në rrugën europiane është në interesin tonë të përbashkët. Parlamenti Europian qëndron fuqishëm dhe bashkë me Kosovën dhe popullin e saj. Duhet të sigurohemi se të gjithë akterët politikë do të punojnë bashkë me ne për këtë perspektivë europiane. Njerëzit në Kosovë janë jashtëzakonisht shumë në favor të Bashkimit Europian, në fakt asnjë vend në rajon nuk e ka një qëndrim më pozitiv karshi BE-së sesa Kosova. Megjithatë, ky fakt nuk mund të merret si i mirëqenë përgjithmonë. Nëse ne nuk përmbushim premtimet tona, ne humbasim kredibilitetin dhe besimin. Është koha e duhur që Këshilli i Jashtëm ta mbajë më në fund premtimin për liberalizim të vizave. Unë absolutisht e ndaj frustrimin e qytetarëve të Kosovës. Do të dëshiroja që Parlamenti Europian të marrë një vendim për këtë çështje”, ka thënë ajo. /Insajderi.com