Von Cramon për zgjedhjet: Ka probleme serioze me votat nga jashtë

Von Cramon për zgjedhjet: Ka probleme serioze me votat nga jashtë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe shefja e Misionit të Vëzhguesve të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian në vitin 2019, Viola von Cramon, thotë se këtë herë zgjedhjet do të zhvillohen në rrethana të paprecedenta, transmeton Insajderi.

Sipas saj, do të ketë probleme serioze me votat nga jashtë.

“Këtë herë zgjedhjet do të zhvillohen në rrethana të paprecedenta, të cilat do të jenë shumë sfiduese për Kosovën, prandaj disa çështje duhet të zgjidhen paraprakisht. Për shkak të faktorëve të jashtëm, padyshim që nuk do të ketë asnjë mision të plotë ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve, por ekspertët ndërkombëtarë do të ndjekin ngjarjet në terren. Kjo tregon angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare. Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë po ofron gjithashtu mbështetje të konsiderueshme me ekspertizën e vet. Ne i kemi kërkuar Presidentit të Parlamentit Europian për një Mision Parlamentar të Vëzhguesve dhe jemi në pritje të një përgjigjeje nga ana e tij”, ka thënë ajo, raporton DË.

“Afati i shkurtër kohor midis shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe ditës së mbajtjes së zgjedhjeve do të thotë se ka probleme serioze me votat nga jashtë, që në praktikë do të thotë që shumica e diasporës nuk do të jetë në gjendje të votojë. E drejta e tyre themelore demokratike është e rrezikuar dhe kjo çështje duhet të adresohet menjëherë”, thotë tutje von Cramon.

“Kosova ka përjetuar paqëndrueshmëri serioze politike në vitet e fundit. Kishte muaj pa asnjë qeveri dhe pa një shumicë parlamentare funksionale. Kjo nuk po ndikon vetëm në nivelin e qeverisjes, por në kohën e krizës COVID-19, mund të kushtojë jetë njerëzish. Prandaj, unë i nxis të gjithë aktorët politikë të mendojnë për të ardhmen dhe të diskutojnë mbi shumicat dhe koalicionet e mundshme, madje edhe para zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurohet një tranzicion i qetë dhe të ngrihet një qeveri funksionale sa më shpejt të jetë e mundur”. /Insajderi.com