Votohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore

Votohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim ka votuar sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021, transmeton Insajderi.

Kundër këtij projektbuxheti kanë dalë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetarja e këtij Komisioni, Verica Ceraniq, ka treguar shumën që është ndarë për komunitete dhe me amendamente.

“Buxheti prej 1 milion e 200 mijë euro, 600 mijë euro për komunitetet serbe dhe 600 mijë për komunitetet tjera”, ka thënë Ceraniq.

Kurse deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se si parti nuk do ta votojnë. Ai fillimisht shprehu ngushëllime për personat që humbën jetën në aksidentin në Kroaci.

“Meqë kemi pas një aksident të rëndë të qytetarëve tanë në Kroaci ku janë të vdekur 10 persona dhe shumë të lënduar kisha dashtë në emër të komisionit me ju shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve dhe njëkohësisht ju dëshiroj shërim sa më shpejtë të gjithë ata që janë të lënduar”.

“Kur futemi brenda këtij buxheti ka çështje të cilat realisht duhet të diskutohen dhe do duhej të ndryshohen dhe të plotësohen. Unë deklaroj se si tillë ky buxhet nga deputetet e PDK-së dhe nga unë nuk do të votohet”, ka thënë Reçica.

Kundër këtij buxheti votoi edhe Shemsedin Dreshaj nga AAK, i cili tha se ka ndasi politike në raport me komunat e tjera.

“Shfrytëzoj rastin të ju shpreh ngushëllime familjarëve dhe të lënduarve ju dëshiroj shërim të shpejtë. Në emër të Aleancës nuk do ta votojmë jemi kundër për shkak se është e vërtetë që ka primesa politike në raport me komuna të caktuara”, ka thënë Dreshaj. /Insajderi.com