Vrasja e Agonis Tetajt – Kryeprokurori i Shtetit e ndërron prokurorin

Vrasja e Agonis Tetajt – Kryeprokurori i Shtetit e ndërron prokurorin

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që ta ri caktojë një prokuror tjetër për rastin e vrasjes së të riut nga Deçani, Agonis Tetaj, përcjell Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka thënë se Lumezi do të kërkojë nga trupi gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike.

Lumezi ka thënë po ashtu, se pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre.

“Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bënë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon. Në anën tjetër, kërkojmë nga të gjithë që të përdorin gjuhë konstruktive, duke mos ndërhyrë në dhënien e drejtësisë”.

“Si Kryeprokuror i Shtetit, siguroj familjen dhe të gjithë qytetarët se do të angazhohem për drejtësi maksimale për këtë rast”, thuhet në komunikatën për medie.

Kujtojmë se, ky vendim i Kryeprokurorit të Shtetit vjen një ditë pasi babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, ka publikuar aktakuzën dhe videon e momentit të vrasjes së të birit, Agonisit.

Ai ka kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe ambasadorët e huaj në Kosovë, të vendosin drejtësi në rastin e vrasjes së djalit të tij.

Krejt kjo ka ndodhur si pasojë e rikualifikimit të veprës penale nga prokurori i rastit, Agron Ukaj, nga “Vdekje e rëndë” në “Vdekje nga pakujdesia”.

Reagime të shumta ka pasur gjatë së mërkurës për këtë rast, nga figura politike, organizata e qytetarë./Insajderi.com