Një 15-vjeçar ka humbur jetën të hënën si pasojë e plagëve të marra nga goditja me thikë pas një përleshjeje mes pesë të miturve në Prizren. Lidhur me këtë rast, mëngjesin e së martës në këtë qytet është bërë thirrje që të organizohet një protestë dhe të bojkotohet për dy orë mësimi nëpër shkolla, njofton Insajderi.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Facebook nga “Lagja Bajram Curri” në Prizren.
“Pas rastit tragjik qe ka ndodhur ne afërsi te shkollave, ku një i moshës 15-vjeçare ka humbur jetën, Kërkojmë bashkëpunim te drejtorëve te shkollave qe Nesër me datë 19.01.2021 të bëhet një protestë lidhur me neglizhencën e instucioneve siç është Policia, protesta do fillon nga orët e para të mëngjesit duke vazhduar me 2 orë bojkot të mësimit, fillimisht ju ftojmë te gjithë prindërve qe nesër te dilni në mëngjes ne orët e para duke filluar qysh nga ora 08:00 sepse raste te tilla nuk duhet përsëritur!”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, vdekjen e të miturit e ka konfirmuar Drejtoria Rajonale e Prizrenit, e cila tha se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:00.
“Sot rreth orës 10:00 në rrugën ‘Ylber Fanaj’ në Prizren, pas një përleshje ndërmjet pesë personave të mitur, njëri nga të miturit i dyshimtë e ka goditur viktimën L.B me mjet të prehtë përkatësisht thikë duke i shkaktuar lëndime serioze që për pasojë viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë mjeku kujdestar i emergjencës i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Policia dhe prokurori i shtetit së bashku me forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë kryer edhe ekzaminimin e vendit të krimit.
Viktima me urdhër të prokurorit dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Ndërsa, rasti është duke u hetuar nga njësia hetimeve rajonale në Prizren. /Insajderi.com