Vrasja e vëllezërve në Deçan: Dëshmitari thotë se e pa të akuzuarin duke shtënë me armë në drejtim të viktimës

Vrasja e vëllezërve në Deçan: Dëshmitari thotë se e pa të akuzuarin duke shtënë me armë në drejtim të viktimës

Dëshmitari Metë Ramaj, ka deklaruar se e kishte parë tani të akuzuarin Durim Lushaj, duke gjuajtur me armë në drejtim, të tani të ndjerit Rexhep Ramaj.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Ramaj e ka dhënë gjatë seancës së rigjykimit, e cila po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Pejë, ku për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, po akuzohen Sali Lushaj dhe Durim Lushaj.

Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, në fshatin Shaptej të Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, e ka privuar nga jeta Rexhep Ramaj.

I njëjti pasi e kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali  Lushajn, akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri,

Dëshmitari Metë Ramaj, në seancën e rigjykimit, ka thënë se sa i përket të akuzuarit Sali Lushaj, atë e kishte parë vetëm me armë në dorë, derisa ishte duke u kacafytur me tani të ndjerin Burim Ramaj, mirëpo mohoi ta ketë parë atë të shtinte me armë.

“Unë kam parë Druimin duke gjuajtur me allti në Rexhepin dhe largësia ka qenë tre deri pesë metra afër njëri-tjetrit, ndërsa Burimi ka qenë larg tyre dy ose tre metra. Ndërsa Saliu kishte pasur armë, mirëpo nuk e kam parë duke shtënë “, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të pandehurit Sali Lushaj, avokatja Kosovare Kelmendi, një deklarim të tillë të dëshmitarit e ka konsideruar kontradiktor, për faktin se sipas saj, në shqyrtimin e kaluar, ai kishte deklaruar se klientit të saj nuk i kishte parë armë në dorë.

Mirëpo, dëshmitari Ramaj, ka deklaruar mbetet pranë deklarimit të tij, se ai e kishte parë të pandehurin Sali Lushaj, me armë në dorë, mirëpo se nuk e kishte parë duke gjuajtur me armë.

Ndër të tjera, dëshmitari ka thënë se të ndjerin Rexhep Ramaj, e kishte dërguar me veturën e tij në spital, kurse në atë moment nuk kishte vërejtur tek ai se kishte pasur shenja jete.

Ai ka shtuar se derisa kishte shkuar për ta marrë veturën për t’i dhënë ndihmë tani të ndjerit Rexhep Ramaj, kishte dëgjuar edhe të shtëna të tjera.

Në këtë gjykim, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar dëshmitari Ramë Ramaj edhe pas kundërshtimeve të avokatëve mbrojtës të të pandehurve se ky dëshmitar nuk ishte kredibil, për faktin se sipas tyre, në shqyrtimin e kaluar kishte qëndruar në gjykatore, derisa kishin dhënë dëshminë dëshmitarët tjerë.

Mirëpo, sipas kryetares së trupit gjykues, Violeta  Husaj-Rugova, ky kundërshtim nga ana e mbrojtësve është i pabazuar për faktin se dëshmitari pas ndërrimit të trupit të ri gjykues, asnjëherë nuk është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa nëse ai është kredibil apo jo, i takon të vlerësojë gjykata.

Dëshmitari Ramë Ramaj, ka deklaruar se një ditë para vrasjes, i pandehuri Durim Lushaj, kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte thënë së përse  ia kishte dhënë policisë kamerat e shtëpisë.

Ai ka shtuar se policia i kishte marrë kamerat në shtëpinë e tij për të parë se kush ishte personi i cili kishte thyer veturën e Dervish Lushajt, ndërsa në këto kamera, sipas dëshmitarit, kishte qenë tani i akuzuari Sali Lushaj.

Ai ka deklaruar se për dhënien e kamerave, i pandehuri Durim Lushaj i kishte thënë se kanë “me ia pa sherrin”.

Kurse, për ngjarjen kritike, dëshmitari Ramë Ramaj ka thënë se kishte parë dy të akuzuarit Durim dhe Sali Lushaj, duke e vrarë tani të ndjerin Burim Ramaj.

Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Durim Lushaj, avokati Salih Mekaj ka thënë se ky dëshmitar asnjëherë nuk kishte përmendur faktin në shqyrtimet e kaluara se i kishte parë dy të akuzuarit duke e vrarë tani të ndjerin Burim Ramaj.

Sipas tij, dëshmitari vetëm kishte deklaruar se dy të akuzuarit kishin qenë të kapur afër të ndjerit, mirëpo nuk kishte thënë se kanë qenë duke e vrarë.

“Ju keni thënë në gjykim se dy të akuzuarit kanë qenë të kapur afër Burimit. Çka nënkupton fjala kapur”, pyeti avokati Mekaj.

“Unë nuk e di pse është konstatuar kështu dhe nuk kam thënë kështu. Unë kam thënë edhe atëherë se dy të akuzuarit e kanë vrarë të ndjerin Burim”, tha dëshmitari Ramaj.

Ndërsa, të pandehurit Sali dhe Durim Lushaj, kanë reaguar duke bërë vërejtje në deklarimet e dëshmitarit, pasi sipas tyre dëshmitari nuk kishte qenë në vend të ngjarjes.

Avokatja Kelmendi, e ka cilësuar këtë dëshmitar si jo kredibil, sidomos me deklarimin e tij, kur sipas saj, ai ka thënë se dy të pandehurit e kanë gjuajtur me armë në shpinë të ndjerin Burim Ramaj, përderisa ky i fundit nuk kishte asnjë plagë në pjesën e shpinës.

Seanca e radhës është caktuar më 26 dhjetor 2019, nga ora 10:00.Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë më 14 prill të vitit të kaluar, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar të akuzuarin Durim Lushaj me dënim unik prej 25 viteve burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtës pa leje, dhe Sali  Lushajn me dënim unik në kohëzgjatje prej 18 viteve burgim, për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtjes pa leje.

Kurse, Gjykata e Apelit  më 3 korrik të vitit të kaluar, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Durim Lushaj dhe Sali Lushaj si të bazuara, dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje, për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale dhe vërtetimin jo i plotë të gjendjes faktike.

“Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje eseanciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 e që lidhet me nenin 370 par.6 dhe 7, e të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike”, theksohet në vendim e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se me 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej, Komuna e Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, ka privuar nga jeta Rexhep Ramaj me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali  Lushajn, akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani Ramaj e Mustafë Ramaj.

Që të dy akuzohen nga ana e prokurorisë për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje. /Betimipërdrejtësi