Vrasja në AKI: I akuzuari mohon fajësinë për vrasje të rëndë

Vrasja në AKI: I akuzuari mohon fajësinë për vrasje të rëndë

I akuzuari Valon Ibërdemaj, është deklaruar i pafajshëm për dy nga tri veprat penale që ngarkohet lidhur me rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).Ibërdemaj ka mohuar fajësinë për vrasje të rëndë dhe rrëmbim, ndërkaq e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje

Ai akuzohet se në shtator të vitit 2018, në objektin e AKI-së, kishte privuar nga jeta, Isa Sejdiun, e më pas, sipas prokurorisë, për të ikur nga vendi i ngjarjes kishte rrëmbyer një punëtore tjetër.

Gjykatësja e rastit Shpresa Hasaj – Hyseni, e ka pyetur të akuzuarin nëse është në gjendje të deklarohet lidhur me pranimin apo mos pranimin e fajësisë dhe nëse është konsultuar me avokatin e tij.“Jemi konsultu sa i përket rrjedhës së shqyrtimit fillestar sot”, ka thënë avokati i tij, Besnik Berisha.I akuzuari më pas është deklaruar, duke e pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, avokati i tij, Besnik Berisha, ka thënë se i shpreh ngushëllime familjes të tani ndjerit në emër të tij, si dhe në emër të familjes së të akuzuarit.

“Sa i përket deklarimit të klientit tim, nuk ka as edhe një kusht të vetëm të pranohet fajësia, sa i përket pikës së parë të dispozitivit të aktakuzës për shkak se ajo çfarë është e parashkruar nuk është mbështetur në asnjë provë të vetme”, ka thënë avokati Berisha.

Ai ka thënë se sa i përket pikës së dytë, duke iu referuar dispozitivit ku i akuzuari ngarkohet me veprën penale “Rrëmbimi”,  sipas tij, ka mangësi substanciale dhe nuk i përmbush kërkesat ligjore, andaj sipas tij, kjo është arsyeja pse në këtë fazë, i akuzuari deklarohet i pafajshëm.

“Pika e tretë e aktakuzës për të cilën u deklaruar fajtor, kujtoj që është në përshtatshmëri me provat e bashkëngjitura, deklarimi i vullnetshëm dhe natyrisht që ftoj gjykatën që ta pranoj si të tillë”, ka thënë ai.

Prokurori Ilaz Beqiri, ka deklaruar se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit për pikën e tretë të dispozitivit të aktakuzës, ngase vlerëson se i akuzuari mjaftueshëm është konsultuar me mbrojtësin e tij.

“Ka kuptuar benefitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe se një pranim i tillë është në përputhshmëri të plotë me të gjitha provat që gjenden në shkresat e lëndës. Andaj, i propozoj gjykatës që ta aprovoj një pranim të tillë”, ka thënë ai.

Më pas, gjykata ka aprovuar pranimin e fajësisë lidhur me pikën e tretë të dispozitivit të akuzës, duke konsideruar se janë përmbushur kushtet të cilat parashihet për pranim të fajësisë.Ndryshe, paraprakisht gjykatësja Hasaj- Hyseni, ka pyetur avokatin Berisha nëse është pajisur me shkresat e lëndës, meqenëse seancën e kaluar kishte shfaqur shqetësimin se të njëjtat nuk i posedon.

“Po, arsyeja pse nuk e ngritëm si shqetësim është se prokuroria në ndërkohë e ka përmbushur obligimin ligjor”, ka thënë ai.

Shqyrtimi i dytë në këtë rast pritet të mbahet me 20 nëntor 2019, me fillim nga ora 9:00.Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2019, Valon Ibërdemaj akuzohet se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Isa Sejdiu, siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka u ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.

Aktakuza thotë se duke rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarës F.B, derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, në kuzhinë ka shkuar i pandehuri me revole në dorë të tipit “CZ-M-72”, e kalibrit 7.62 mm, e ka thirrur në emër “Isa”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dal në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F.B, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dal i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.

Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoj çika”.

Në aktakuzë thuhet se ai ka dal nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh.Sh, ndërsa zyrtari E.B, duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

E në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se nga koha e pa përcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë. /BetimipërDrejtësi