Vrasje, aksidente, grabitje dhe lëndime nga mjetet piroteknike – Bilanci i ditës së fundit të vitit 2018

Vrasje, aksidente, grabitje dhe lëndime nga mjetet piroteknike – Bilanci i ditës së fundit të vitit 2018

Dita e 31 dhjetorit 2018, ishte fatale për një femër e cila mbeti e vdekur nga një aksident i tmerrshëm në Rrugën Prishtinë-Podujevë.

Nga aksidenti i njëjtë mbetën të lënduar edhe shtatë persona tjerë, të gjithë në gjendje të rëndë.

Këto informacione i ka dhënë mjeku kujdestar në QKUK, Avdush Bajgora, shkruan Insajderi.

“Në këtë natë ka qenë një natë  e tmerrshme, numri i aksidenteve kanë qenë jashtëzakonisht I madh, sidomos vlen të përmendet aksidenti I cili është bërë në relacionin Prishtinë-Podujevë, ku një person ka humbur jetën tre persona të tjerë janë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë të cilët gjinden në mjekim intensiv, ndërsa persona të tjerë po ashtu ën gjendje të rëndë”, ka thënë Bajgora.

Por fatkeqësisht ky aksident nuk ishte i vetmi. Në rrugën Prishtinë-Podujevë ndodhi një tjetër aksident trafiku.

Pesë persona mbetën të lënduar si pasojë e goditjes së dy veturave.

Lajmin për Insajderin mbrëmë e konfirmoi edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Floa Ahmeti.

Katër persona tjerë u lënduan, në mesin e tyre edhe policë, nga një tjetër aksident në Podujevë.

Aksidente të rënda u raportuan edhe në Deçan dhe Gjilan.

Nata e fundit e vitit, pikërisht në Gjilan doli të ishte fatale edhe për një grua. Ajo u qëllua për vdekje aksidentalisht nga burri i saj.

Policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur përderisa burri po gjuante me një armë gjuetie për Vitin e Ri.

“Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes në bazë të hetimeve preliminare dyshohet se deri tek vrasja kishte ardhur si pasoj e pakujdesisë së të dyshuarit shqiptar shtetas i Kosovës  J. J. (1956) i cili pas ndërrimit të mote moteve kishte dalë para shtëpisë me pushkën e gjuetisë llojit “Hungarian Submacine Gun@,model-53, dhe nga pakujdesia kishte qëlluar bashkëshorten e tij tani të ndjerë Z.J”, thuhet ne njoftim.

Pothuajse sikur çdo vit, edhe këtë herë numri i të lënduarve nga mjetet piroteknike ka qenë i madh.

Vetëm në QKUK ndihmë kanë kërkuar disa persona.

“Para 10-15 minuta kanë filluar të vijnë persona të lënduar si rezultat i përdorimit të mjeteve piroteknike. Një pacient ka pasur një lëndim jashtëzakonisht të rëndë sidomos në buzën e poshtme që ia është çarë krejt buza. Kemi edhe persona të tjerë që kanë djegie të fytyrës dhe lëndime të tjera. Gjithsejtë janë 5-6 raste, mirëpo mund të ketë edhe të lënduar të tjerë. Në krahasim me vitet e tjera  mund të themi  është një numër më i vogël, sepse si duket njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen”, theksoi mjeku Bajgora.

Lëndime janë raportuar edhe në komunën e Prizrenit dhe Ferizajt. /Insajderi.com