Vriten dy drenusha – krim ndaj kafshëve në Kosovë

Vriten dy drenusha – krim ndaj kafshëve në Kosovë

Një krim mbi pasurinë natyrore të faunës, besohet se është bërë në Bjeshkët e Rugovës, ka shkruar Gazeta Sinjali.

Sipas këtij portali disa persona po krenohen sesi kanë vrarë dy drenusha në këtë lokalitet të Kosovës, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi që siguron mbrojtje për kafshët.

Sipas tij, të dyshuarit për këtë vepër janë, Jetmir Zeqiraj dhe Xhevdet Kelmendi nga fshati Zahaq, të cilët edhe i kanë ekspozuar fotot e këtyre kafshëve të vrara, në profilet e tyre në facebook, raporton Gazeta Sinjali.

Madje në këtë postim, Jetmir Zeqiraj që besohet që është njëri prej atyre që i ka vrarë drenushat, pyet dajën e tij rreth preferencave për gjahun e bërë.

Ndërsa i dyshuari tjetër Xhevdet Kelmendi komunikon me tezakun e tij për mbytjen e kafshëve me qëllim të shoqërimit të mishit të tyre me raki.

“A është vakti tezak për lepuj  te mbytim naj raki me to”, shkruan ai në facebook.

Dreri i rëndomtë është ndër pasuritë e Kosovës, të mbrojtura me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

Vrasja e kësaj kafshe të egër dëmton faunën e Kosovës dhe ndikon në zhdukjen e kësaj specie të veçantë që rritet në vendin tonë, duke boshatisur dhe shkretuar pyjet dhe pasurinë natyrore të Kosovës.