Vritet me tetë plumba në atentat tregtari në mes të Shkodrës

Vritet me tetë plumba në atentat tregtari në mes të Shkodrës

Autorët e qëlluan me 8 plumba në markatën e qytetit. Fisi Ferracaku në Shkodër numëron një tjetër viktimë. Dy muaj e gjysëm pas vrasjes së Arjan Ferracakut, persona të paidentifikuar ekzekutuan me armë kushëririn e dytë të tij, Fatos Ferracaku.

40-vjeçari ishte në shoqërinë e kunatit të tij në lagjen Rus, kur dy persona që lëviznin me një motorçikletë u afruan të maskuar pranë tyre.

Dëshmitarë në vendngjarje thanë se një nga atentatorët zbriti nga motori dhe qëlloi fillimisht Ferracakun në kokë, ndërsa Fatmir Mehaj që ndërhyri mori një plumb në në këmbë.

Sipas policisë, Ferracaku u qëllua me 8 plumba. Ai mbeti fillimisht i plagosur, por më pas ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës.

Në polici janë shoqëruar disa persona që dyshohet se kanë parë lëvizjet e autorëve dhe mund të japin të dhëna të vlefshme për identitetin e tyre.

Atentati ndodhi në markatën e qytetit të Shkodrës në një orar të mbipopulluar nga qytetarët. Pak minuta pas ngjarjes, në lagjen “Guerrile” u gjet i djegur edhe një motor që dyshohet se u përdoror nga atentatorët. Po kështu hetuesit kanë sekuestruar edhe 8 gëzhoja në vendin e ngjarjes, por jo armën e krimit.

40-vjeçari është kushëri i afërt me biznesmenin Arjan Ferracaku, që mbeti i vrarë në një tjetër atentat mafioz më 1 Shtator. Policia ende nuk ka mundur të identifikojë autorët e vrasjes së 30-vjeçarit Ferracaku që u ekzekutua me breshëri automatiku teksa po shëtiste me kalë pranë hidrovorit në lagjen Dobraç. /Tv Klan.