fbpx

Vuajtjet e thella të mijëra njerëzve në Bllacën e vitit 1999, vijnë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Autore: Sarandë Selimi

Vuajtjet e thella të mijëra njerëzve në Bllacën e vitit 1999, vijnë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Me tekst të Milazim Krasniqi, e regji të Burbuqe Berishës, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, së shpejti vjen premiera e shfaqjes “Bryma e vdekjes”, shkruan Insajderi.

Në një prononcim për Insajderi, regjisorja Berisha ka thënë se kjo dramë sjellë përvojën e autorit nga kampi i Bllacës.

“Një perspektivë ku për së afërmi shihet vuajtja e thellë e mijëra njerëzve me jetë të shkatërruara. E tërë ngjarja ndodhë në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë në vendkalimin e njohur me emrin Bllaca. Vend i cili ishte vendqëndrim i detyrueshëm për mijëra civilë shqiptarë, viktima të spastrimit etnik të ushtruar nga Serbia”, pohoi regjisorja duke vazhduar të thotë se ata në Bllacë u mbajtën në kushte ekstreme, aq sa vuajtjet e tyre u shndërruan në një katastrofë humanitare.

“Shpërfytyrimi, tjetërsimi si dhe përulja e qëllimshme e popullatës shqiptare na paraqitet nëpërmes personazheve të portretizuara me shumë origjinalitet sikur ai i Fitimit, Ademit dhe Havës, Mentorit, Dritës si dhe vajzës së tyre të vogël. Kampi i Bllacës paraqitet ashtu sikurse edhe ka qenë në realitet një kamp famëkeq ku njerëzit luftonin në mes të vuajtjes dhe vdekjes, e gjithmonë duke u munduar ta balancojnë me një dozë të dinjitetit, së paku aq sa iu lejonin rrethanat”, u shpreh Burbuqe Berisha.

Kjo shfaqje do ta rikthejë në skenë edhe aktoren e tashmë deputeten e Parlamentit të Kosovës, Blerta Deliun.

E në kastën e aktorëve të tjerë paraqiten: Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Valmir Krasniqi, Albulena Kryeziu-Bokshi, Artiola Hamdija, Ylber Bardhi, Blerta Deliu, Ismet Azemi, Shpëtim Kastrati, Naim Berisha, Basri Lushtaku, Xhejlane Godanci, Adhurim Demi, ndërsa do të ketë edhe disa statista.

Asistent regjie është Bashkim Ramadani, dramaturge është Seadet Beqiri, kompozitor Florent Boshnjaku, skenograf Petrit Bakalli, kostumografe Albulena Borovci ndërsa koreografia vjen nga Sinan Kajtazi.

Shfaqja pritet të dalë me premierë më 5 prill në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës./ Insajderi.com