Vuçiq: E di se çfarë fati më pret kur të dal me propozim për Kosovën

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se frikohet që nuk do ketë rast ta shpalosë propozimin e tij për zgjidhje të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse nëse Prishtina nuk është në gjendje t’i heqë, siç ka thënë ai, “taksat anticivilizuese”, si do të vijnë deri te zgjidhjet më të vështira.

Vuçiq: E di se çfarë fati më pret kur të dal me propozim për Kosovën

“Unë e di mirë fatin tim menjëherë apo nëse më jepet shansi të propozojë çfarëdo popullit tonë. Prej asaj nuk do të iki, por frikohem se nuk do të vijmë në atë situatë, sepse kjo situatë me taksa e rrënon çdo lloj të kredibilitetit të bisedimeve dhe besimit, dhe nëse ju nuk jeni në gjendje t’i hiqni “taksat anticivilizuese”, për çfarë atëherë të bisedojmë, për çfarë zgjidhje flasim. Si do të vijmë deri te zgjidhjet më të rënda, jo vetëm për ne, por edhe për ju”, ka thënë Vuçiq.

I pyetur të komentojë reagimet e opinionit në deklaratën e basketbollistit Nikolla Kaliniq se Kosova tashmë disa dekada nuk është “territor i tyre”, ka thënë se me vëmendje e ka lexuar atë intervistë.

“Ne dimë ta akuzojmë, mirëpo është shumë vështirë të thuhet se nuk është e vërtet gjithë çfarë ka thënë ai”, ka thënë kryetari i Serbisë./Insajderi.com.