fbpx

Vuçiq e quan qesharake intervistën e Thaçit në televizionin serb

Vuçiq e quan qesharake intervistën e Thaçit në televizionin serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron në Slloveni për të marrë pjesë në samitin e Procesit Brdo-Brioni, është prononcuar të shtunën rreth deklaratës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se është e paimagjinueshme që Serbia të jetë anëtare e BE-së para Kosovës.

Vuçiq ka thënë se kjo është “deklaratë mashtruese” dhe se “ata edhe pa fushatë zgjedhore nuk kanë tema tjera përveç Serbisë”, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

“Çfarëdo që them, ata e kanë përgjigjen e gatshme. Nëse them: ‘Kjo është e ulët dhe qesharake’, ata do të thoshin, ‘Aha, a po e shihni se ata e pranojnë se Kosova nuk është Serbi dhe se nuk do të hyjnë së bashku’, ndërsa nëse unë them ‘Do të hyjmë së bashku’, njerëzit në Serbi do të thonë– ‘Shikoni, ata janë në të njëjtin nivel në rrugë evropiane sikurse Prishtina’”, ka thënë Vuçiq kur është pyetur që të komentojë deklaratën e Thaçit.

Vuçiq ka shtuar se është i gatshëm për dialog, por jo në dëm të interesave ekonomike të Serbisë dhe në dëm të rezultateve të reformës, dhe se “nuk do të shkatërrojë integritetin territorial të Serbisë”.

Presidenti serb po ashtu ka thënë se i intereson se deri ku ka shkuar Kosova në përgatitjen e dokumentacionit për autostradën përmes Podujevës, pasi që kjo, sipas tij, “është e rëndësishme për ekonominë dhe për përmirësimin e raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve”.

I pyetur që të komentojë edhe deklaratën e liderit të AAK-së, njëherësh kandidat për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, se “armiqësisë do t’i përgjigjet me armiqësi”, Vuçiq ka thënë se Haradinaj “kërcënon çdo ditë”.

Ai ka thënë se “do të shikoj t’i shmangem armiqësisë” dhe se dëshiron raporte të mira.

“Druaj se ai person që vazhdimisht duhet të përsëris se si është i fortë, është sikur ai fëmija që e vizaton kalin por i duhet ta shkruaj nën të se është kalë”, ka theksuar Vuçiq.