Vuçiq i thotë Kurtit – dole naiv

Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të mos numërohen votat e arritura nga Serbia nuk do ta godasë Listën Serbe e cila do t’i mbajë 10 mandate në Kuvend. Mirëpo, vendimi i tillë do ta ndryshojë rezultatin zgjedhor sepse koalicioni Nisma-AKR, i cili kishte mbetur jashtë pragut, tani do të hyjë në parlament. Ky vendim do ta godasë më së shumti partinë më të fortë në parlament, partinë e Albin Kurtit, komentojnë mediet serbe vendimin e fundit të PZAP-it.

Vuçiq i thotë Kurtit – dole naiv

Me këtë rast u lajmërua edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i cili ka porositur fituesin e zgjedhjeve të fundit në Kosovë Albin Kurtin se doli i papërvojë dhe naiv.

“Është bërë gjithçka që ta shtyjnë Kurtin e papërvojë, para se gjithash atë dhe njerëzit nga Vetëvendosja të mendojnë se bëhet fjalë për diçka kundër Serbisë, ndërsa ata duke bërë garë me deklarata kundër Serbisë, thonë  – Po, po. Helmim! Serbët e marrë na kanë bërë këtë. E në të vërtetë gjithçka ishte menduar kundër tij”, ka thënë Vuçiq.

Nëse koalicioni Nisma-AKR e kalon pragun, Vetëvendosja e Albin Kurtit do të humbas tri vende dhe LDK, PDK dhe AAK nga një vend.

“Me hyrjen e koalicionit i cili është në bashkëpunim të ngushtë me partinë e Mustafës, ata nesër mund të thonë: “Ne në bllok kemi më shumë mandate se partia e Kurtit. Ne duam që Vjosa të bëhet kryeministre”, spekulon Vuçiq, në përpjekje të përçarjes së partive më të mëdha.

Mirëpo, Vjosa Osmani i përgjigjet presidentit të Serbisë me koment se po shihet se ai dikur ishte ministër i propagandës, i cili ka eksperiencë në trillimin e teorive konspirative.

“LDK nuk punon askujt pas shpine, e aq më pak me lojëra të cilat janë prodhim i teorive konspirative dhe mendjeve siç ka Vuçiq. Të gjithë në LDK jemi të përkushtuar që Qeveria e ardhshme LDK-Vetëvendosje të themelohet si partneritet i barabartë ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë”, ka deklaruar Osmani./Insajderi.com.