“Largimi i reciprocitetit do të hapë mundësinë e dialogut politik në mes nesh”.

Kosova është fëmiu i Amerikanëve dhe Gjermanëve, ka thënë Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, kur është pyetur për mundësinë e rifillimit të dialogut tash pas largimit të masës së reciprocitetit.
“Mos harroni, ata janë fëmijë të amerikanëve dhe gjermanëve dhe të gjithë atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Vuçiq, duke nënkuptuar kështu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë qasje më të butë karshi Kosovës.
“Çfarëdo që të bëjnë, për ta gjithmonë do të ketë lëshime dhe vullnet të mirë nga ana e atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës, ata do t’i ndihmojnë. Ne nuk jemi në atë situatë, nuk mund të shmangemi nga bisedimet”.
Gjithsesi, Vuçiq e ka përshëndetur largimin e reciprocitetit nga qeveria e re e Kosovës, pasi ky veprim, sipas presidentit serb, i hapë rrugë mundësisë për rikthim në tavolinën e bisedimeve mes dy vendeve.
“Kjo gjë (heqja e reciprocitetit) e hapë mundësinë që ne të fillojmë bisedimet, nëse ajo masë mbetet për më shumë se disa ditë dhe besoj se nuk është çështje përndjekjeje dhe rivaliteti në mes të dy palëve, por një çështje thelbësore, çështje e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, një nga liritë më të rëndësishme të botës moderne, dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë te njerëzit”, u shpreh Vuçiq.
Serbia pritet të mbajë zgjedhjet këtë muaj, me 21 qershor, prandaj kjo është koha edhe kur Vuçiq pret vizita nga përfaqësues evropianë në Kosovë e Serbi, për të parë se kur mund të rinisë dialogu.
Vuçiq shtoi se ka hequr dorë nga nismat e mëdha për zgjidhjen finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe se tash vetëm po pret propozime
Intervistën e plotë të Aleksandër Vuçiq mund ta lexoni në REL.
Insajderi.com