Vuçiq: Nga 1 janari 2023 s’do të kemi kufij me Shqipërinë e Maqedoninë Veriore

Vuçiq: Nga 1 janari 2023 s’do të kemi kufij me Shqipërinë e Maqedoninë Veriore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se nga fillimi i vitit 2023, qytetarët e Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, do të lëvizin lirshëm sikur të mos kishte kufij ndërsa kamionët me mallra nuk do të presin në pikat kufitare – në rast se shkon gjithçka mirë me iniciativën e “Mini-Shengenit Ballkanik” – të cilit sot i është vënë emër i ri “Open Balkan”, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në Forumin ekonomik që po mbahet në Shkup, në kuadër të iniciativës për “Mini-Schengen”, që është refuzuar nga Kosova, e deri më tash edhe nga Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina.

“Nëse do të jemi në gjendje, më 1 janar 2023 ne nuk do të kemi kufij mes vendeve tona. Në fakt, do të kemi, por jo për qytetarët. Shkon nga Beogradi në Tiranë dhe askush nuk u ndalon dhe anasjelltas. Me këtë rrisim edhe sigurinë e qytetarëve tonë”, ka thënë Vuçiq, përcjellin mediat serbe të enjten.

Ai ka thënë se kjo që po bën Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria është gjë e madhe. “Nëse ia dalim do të jetë sukses i madh”, shtoi ai.

Në Forumin ekonomik të Shkupit po marrin pjesë edhe rreth 300 përfaqësues të bizneseve nga këto vende, ndërkohë që sipas Vuçiqit, më së shumti ka nga Serbia – 217. /Insajderi.com