Vuçiq nuk fshehë nervozizmin ndaj ambasadorit amerikan

Nuk je ti ambasador këtu t’i përmirësosh gazetarët, por të përgjigjesh në pyetje, ka thënë kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, me rastin e deklaratës së ambasadorit të SHBA në Serbi Kyle Scott, i cili ka thënë se Kosova është shtet i pavarur.

Vuçiq nuk fshehë nervozizmin ndaj ambasadorit amerikan

“Çfarëdo të jetë Kosova dhe qeveria e saj për SHBA dhe ambasadorin Scott, për ne është “e ashtuquajtura qeveri dhe i ashtuquajturi shtet. Nuk je ti ambasador këtu t’i përmirësosh gazetarët, por të përgjigjesh në pyetje”, ka thënë Vuçiq.

Siç ka thënë ai, “do të ishte mirë sikur ambasadori të kishte treguar pak më shumë respekt ndaj vendit nikoqir”, duke shtuar se përfaqësuesi i qeverisë serbe, i cili kishte marrë pjesë në ngjarjen ku Scott e kishte dhënë këtë deklaratë, ka qenë i detyruar të reagojë.

“Për fat të keq, unë nuk isha prezent aty”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për qëndrimin e ri të administratës amerikane, dhe se për këtë shkak është shumë më skeptik përkitazi me qëndrimin e Uashingtonit ndaj Kosovës sesa që është ministri Daçiq.

Në pyetje të gazetarëve se a do të kishte “fluturuar” Scott, sikur të ishte ai prezent, ai u përgjigj se te ata askush nuk fluturon, “mirëpo do ta kishte marrë përgjigjen të cilën e meriton”.

Ambasadori i SHBA në Beograd Kyle Scott ka deklaruar mbrëmë se qeveria e Kosovës nuk është e ashtuquajtur, por se Qeveria e Kosovës, e cila është vend i pavarur dhe sovran me përfaqësuesit e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike.

“Nuk është e ashtuquajtura qeveri e Kosovës, por Qeveria e Kosovës, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Ata janë përfaqësuesit e Kosovës dhe me ta kemi kontakte si me cilët do përfaqësues të ndonjë shteti në rajon”, ka thënë diplomati amerikan./Insajderi.com.