Vuçiq për zarfet kontestuese: Dëshirojnë që Listën Serbe ta shpallin terroriste

Votat e votuesve nga Serbia, të cilët kanë votuar me postë për Kuvendin e Kosovës, nuk do të numërohen derisa nuk kryhen analizat e zarfeve kontestuese, të cilat të dielën kanë shkaktuar reagime alergjike te një pjesë e zyrtarëve të Qendrës për Numërimin e Votave.

Vuçiq për zarfet kontestuese: Dëshirojnë që Listën Serbe ta shpallin terroriste

Me rastin e ngjarjes me zarfe, të cilat dyshohen se kanë qenë të helmuara, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se “gjithë këtë e kanë bërë Perëndimi dhe Prishtina vetëm me një qëllim, e kjo është shkatërrimi i Listës Serbe”. Njëkohësisht, ai ka paralajmëruar bashkësinë ndërkombëtare, “e sidomos ata të cilët e kanë pas vështirë t’ia urojnë Listës Serbe fitoren, se heqja e demokracisë nuk qon askund dhe se duhet ta dinë se cilët janë përfaqësuesit e serbëve në Kosovë”.

“I lus partnerët tanë perëndimorë që të mbushen mend së bashku me shqiptarët, që mos t’i ndihmojnë në qëllimet e tyre të sëmura, sepse përndryshe, frikohem se po i afrohemi katastrofës”, kërcënon haptas Vuçiq, duke shtuar se “është shumë i brengosur për shkak të situatës në Kosovë, sidomos kur bëhet fjalë për përpjekjet e shqiptarëve të marrin vendim për shfuqizimin e Listës Serbe. Atë mund edhe ta ndalojnë, por nuk munden popullin serbë në Kosovë”.

Sa i përket helmimeve, Vuçiq ka përdorë retorikën e  ish shefit të tij, kriminelit Sllobodan Millosheviq duke thënë: “Mos trilloni tregime për fëmijë të vegjël, të cilat i keni trilluar në vitet e nëntëdhjeta”./Insajderi.com.