Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se për Serbinë do të jetë keq në rast se në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë do të fitojnë forcat politike që qëndrojnë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Ai thotë se pret që të ketë një presion të madh ndaj Serbisë në lidhje me çështjen e Kosovës.
“Unë pres presion të madh mbi Serbinë. Për ne është shumë e rëndësishme që të përpiqemi ta stabilizojmë Listën Serbe, të ruajmë forcën e saj dhe të përgatitemi për presion të rëndë”, ka thënë Vuçiq në intervistë për televizonin “Prva”.
Ai sërish e ka quajtur liderin e AAK, Ramush Haradinaj, një njeri të rrezikshëm dhe pret që Haradinaj të arrijë koalicion me Albin Kurtin.
“Atëherë do të kishit një koalicion për ‘Shqipërinë e Madhe’. Dhe nëse njerëzit e dinë se çfar lloj “qulli” po përgatitet për Serbinë – atëherë do të dalin me idenë e ‘Shqipërisë së madhe’ dhe do të fillojnë të na shantazhojnë e të insistojnë se një kompromis është që Serbia ta njohë Kosovën”, ka shtuar Vuçiq, duke shtuar se Haradinaj tashmë e ka përmend këtë, por se ai shqetësohet se të huajt mund të vijnë me këtë ide. /Insajderi.com