Vuçiq mbron djalin

Vuçiq reagon ndaj sulmeve për djalin e tij – “Ai është fajtor veç pse është djali im”

Djali i presidentit serb po akuzohet nga mediat serbe se shoqërohet me huliganë dhe pjesëtarë të mafias. Aleksandër Vuçiq hidhet në mbrojtje.

Vuçiq reagon ndaj sulmeve për djalin e tij – “Ai është fajtor veç pse është djali im”

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është vënë djalit në mbrojtje pasi disa media në Serbi zbuluan foto të tij në shoqëri me huliganë e pjesëtarë të mafias, njofton Insajderi.

Vuçiq, përmes Instagramit, ka shkruar se djali tij nuk ka bërë asgjë të keqe, por ai do të sulmohet gjithsesi, “sepse është djali im”.

Vuçiq aludon se Danilo po sulmohet nga media që mbështetën nga oponentët e tij politik.

“Djali im Danilo është një djalë i ri i ndershëm dhe i denjë. Ai është fajtor vetëm sepse është djali im”, shkruan Vuçiq, duke shtuar se ai vetë asnjëherë nuk ka sulmuar fëmijët e kundërshtarëve të tij politik.

“Duke sulmuar fëmijën tim, ata më çuan në një cep nga i cili nuk kam ku të shkoj tjetër. Do të luftoj me gjithë forcën time dhe do t’i mposht të gjitha gënjeshtrat e tyre. Unë u premtoj atyre”, thuhet në reagimin e presidentit serb.

Disa media në Serbi kanë raportuar për djalin e presidentit serb, Aleksander Vuçiq, dhe shoqërimin e tij me persona që në Serbi akuzohen për krim të organizuar, njofton Insajderi.

Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit – KIRK, ka publikuar një fotografi të Danilo Vuçiq, në shoqërimin e disa figurave kriminale në Serbi, duke shtuar kështu dyshimet që veç ekzistonin edhe më herët se djali i presidentit serb është i lidhur me njerëz të nëntokës.

Vuçiqi i ri ishte parë në një lokal në Beograd në shoqëri të Aleksandër Vidojeviq, një anëtar famëkeq i grupit huligan Janissaries – tifozët e klubit beogradas Partizanit.

Vidojeviq është i regjistruar në dosjet e policisë se Serbisë si anëtar i Klanit “Kavaqi”, një grup i mafias.

Ai për momentin po përballet edhe me akuzat për demolimin e një klubi te natës bashkë me disa huliganë të tjerë./Insajderi.com