Serbia dëshiron dialog, por jo për njohje. Ndryshe nga Kosova që e vetmja arsye për të cilën e do dialogun është njohja dhe zgjidhja përfundimtare e problemit me Serbinë.
Serbia mund të bisedojë e të negociojë me përfaqësues të Kosovës, por shtetin e Kosovës nuk do ta njohë asnjëherë, ka thënë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, njofton Insajderi.
“Ne jemi të gatshëm për të negociuar, por nuk ka flamur të bardhë,” tha Vuçiq.
Sipas Vuçiq, dialogu është i mundur nëse dialogohet për gjëra që janë brenda të mundshmes, e njohja e Kosovës për presidentin serb është diçka e pamundur të bëhet.
“Ne besojmë se është në interesin më të mirë të shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare të diskutojnë lëvizjen e lirë të kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve”, tha Vuçiq.
Vuçiq gjithashtu foli për dualitetin që Serbia e tregon në raport me fuqitë e mëdha.
Ai tha se Serbia dëshiron lidhje me të gjithë, e cila do të ishte e ekuilibruar në mes të Perëndimit, Rusisë e Kinës./Insajderi.com