Vuçiq: Së shpejti qytetarët do të vendosin në zgjedhje a janë për mua

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se së shpejti qytetarët në zgjedhje do të vendosin se kush do të jetë në pushtet dhe kush në opozitë.

Vuçiq: Së shpejti qytetarët do të vendosin në zgjedhje a janë për mua

I pyetur për takimin e njërit nga liderët e Lidhjes për Serbinë Dragan Gjillas dhe kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, Vuçiq i ka thënë gazetarëve në Beograd se nuk ka asgjë kundër kësaj. Ai ka thënë se në atë darkë kanë qenë “edhe biznesmenë tjerë kontroversë”.

“Problemi është që Gjillas po paralajmëron formimin e një partie politike me orientim social-demokratik, edhe këtë po paralajmëron tajkuni më i keq. I kanë shkatërruar punëtorët dhe firmat, dhe ata tani duan ta formojnë një parti social-demokratike”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se “në fund të fundit populli do të vendosë në zgjedhje se kush do të jetë në pushtet dhe kush në opozitë. Dhe kjo do të ndodh shumë shpejtë”.

Vuçiq ka thënë se “është e qartë se Prishtina nuk do t’i heqë taksat ndaj prodhimeve serbe shumë shpejtë dhe se mund të pritet përshkallëzim të situatës, mirëpo ka porositur se Serbia do të luftojë ta ruajë paqen, stabilitetin dhe interesat e saja kombëtare”.

Ai ka shtuar se nëse nuk hiqen taksat, nuk do të ketë vazhdim të dialogut me Kosovën./Insajder.com.